Mbledhja e Komisionit Qendror Zgjedhor më 29.08.2024. Foto; KALLXO.com.
"Zgjedhjet 2025", diaspora mund të votojë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 22 shtete
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar përfaqësitë diplomatike: ambasadat dhe konsullatat, në të cilat do të mund të votojnë diaspora e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025.
47 mijë është numri i votuesve nga diaspora që do të mund të votojnë në 22 shtete, në 35 qendra të votimit, me gjithsej 47 vendvotime, apo nga 1 mijë votues për vendvotim.
Këtë vendim e mori KQZ në mbledhjen e datës 29.08.2024, me 7 vota për, pavarësisht disa kundërshtive që të arrihet një kompromis me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, MPJD.
Ministria në fjalë ka propozuar listë tjetër që përfshin numër më të madh të votuesve për vendvotim, ndërkaq KQZ tjetër, gjë që ka nxitur diskutime në dy mbledhjet e fundit të KQZ-së.
KALLXO.com ka kërkuar të dhëna dhe përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme se a kanë arritur pajtueshmëri me shtetet përkatëse ku jeton diaspora për vendvotime aternative dhe për detaje shtesë në lidhje me propozimin e tyre, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga radhët e LVV-së propozoi që menjëherë të hapet platforma për regjistrim, por mos të kufizohet numri i votuesve në vendvotime.
Ky propozim nuk u miratua, pasiqë mori vetëm katër vota për.
“Unë propozoj që të hapet platforma për regjistrimin e mërgimtarëve dhe të deklarohen se më cilat forma lajmërohen të votojnë”- tha Kurteshi.
Kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Burim Ahmetaj, i cili prezantoi të dhënat për propozimin që u miratua gjatë mbledhjes, tha se lista është bërë sipas vlerësimeve dhe praktikave të KQZ-së.
Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja, tha se MPJD e ka pasur fjalën që 20 mijë votues për hapësirat që janë duke u munduar t’i sigurojnë [në diasporë], e jo për në qendrat ekzistuese.
“Këto praktika (të hapjes së vendvotimeve alternative) jashtë përfaqësive janë përdorur së fundmi në Turqi. Duhet me punu që me i siguru hapësirat e tjera. Ligji e lejon hapjen e një lokacioni tjetër për votim”- tha Krasniqi, i cili akuzoi se me një vendim të tillë po kufizohet votimi për mërgimtarët.
Ndërkaq, Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, tha para votimit të listës përfundimtare se lista Sekretariatit të KQZ-së ka marr pëlqimin e zyrtarëve të MPJD-së gjatë grupit punues gjatë punës së përbashkët, dhe se ndërkohë kanë dërguar propozime tjera që janë të pamundura.
Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga radhët e LDK-së tha se përfaqësitë diplomatike të Kosovës nuk kanë kapacitete për aq sa ka propozuar Ministria e Diasporës.
“Kjo temë prej dje më shumë është bërë politike sesa teknike”- tha ai.
Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, apo 161,700 votues më shumë, shtetas të Kosovës, në krahasim me zgjedhjet e lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt 2025 është 209,878, u njoftua në mbledhje.
Anëtarët e opozitës në KQZ pretendojnë se MPJD ka ndërhyrë në listat e vendvotimeve në diasporë