FOTO-BBC

Zgjedhjet 2019, kush po i sponzorizon më shumë postimet në Facebook?

Sot ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare 2019. Ende pa filluar fushata, partitë e kandidatët kishin nisur thirrjet për vota e premtimet e ndryshme në rrjete sociale.

Përveç audiencës që subjektet politike mund të arrijnë tek ndjekësit online, rrjetet sociale si ‘Facebook-u” mundëson që përmes sponzorizimit (pagesës), postimet e tyre të shfaqen te audienca më të gjera.

KALLXO.com ka analizuar se sa partitë dhe kandidatët për kryeministra të partive kosovare e kanë shfrytëzuar këtë mundësi duke paguar para ‘Facebook-ut’.

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli mban primatin e sposorizimeve në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Veseli deri më tash ka sponsorizuar 26 publikime dhe të gjitha kanë të bëjnë me fushatën parazgjedhore ndonëse nuk kishte filluar zyrtarisht. Faqja zyrtare e Partisë Demokratike ka sponsorizuar vetëm një publikim .

Veseli ka sponsorizuar publikime që nga data 20 shtator e deri ditën e djeshme.

Pas Veselit, është Shpend Ahmeti ai i cili ka sponsorizuar 13 publikime. Njëjtë sikur Veseli edhe Ahmeti ka filluar me sponsorizim më datën 20 shtator e këto publikime kanë të bëjnë më premtimet elektorale që ka partia, të cilën e udhëheq Ahmeti. Partia Socialdemokrate ka shpenzuar të holla për 27 publikime.

 

Vjosa Osmani s ka sponsorizuar në profilin e saj 8 publikime të cilat kanë filluar me datën 19 shtator.Faqja zyrtare e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka sponsorizuar vetëm dy publikime.

Në anën tjetër Fatmir Limaj ka sponsorizuar vetëm një publikim. Faqja zyrtare e NISMA-s Socialdemokrate ashtu sikur lideri, ka sponsorizuar vetëm një publikim.

Përderisa  lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri më sot nuk ka shpenzuar para në asnjë prej publikimeve të tij, kjo nuk ka ndodhur edhe me faqen zyrtare të lëvizjes Vetëvendosje. Kjo faqe ka të sponsorizuara 6 publikime.

Në këtë publikim nuk janë të llogaritura faqet zyrtare të degëve të partive.