Foto: VOA/Reuters
Zgjedhje lokale historike në Ukrainë
Në të gjithë Ukrainën po zhvillohen sot (e diel) zgjedhjet lokale të cilat mbahen pas miratimit të një kodi të ri zgjedhor që garanton për organet e qeverisjes vendore decentralizimin e pushtetin nga Kievi.
Këto zgjedhje shihen si më të rëndësishmet në historinë moderne të vendit, ku pritet ndryshimi i gjithë zyrtarëve lokalë si dhe një pavarësi e zgjeruar finaciare e politike për organet e qeverisjes lokale.
Reforma është vlerësuar si një hap i rëndësishëm që do të krijojë një administratë të re ndryshe nga modeli i qeverisjes deri më tani nga lart-poshtë, të cilën vendi e ka trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, e që ka mbetur kryesisht e pandryshuar gjatë tre dekadave të pavarësisë.
Zgjedhjet e 25 tetorit shihen gjithashtu si një provë e rëndësishme për Presidentin Volodymyr Zelenskiy, i cili u zgjodh me një shumicë dërrmuese në fillim të vitit 2019 si dhe partia e tij Shërbëtori i Popullit.
Sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë se rreth 70 për qind e ukrainasve besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa vlerësimi ndaj zotit Zelenskiy ka rënë nën 50 për qind.
Sipas ligjit të ri zgjedhor 40 për qind e vendeve të këshillit lokal duhet t’u jepen grave. Ndërkohë sot nuk pritet të zhvillohen zgjedhje në rajonin e Detit të Zi, në Krime, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014 dhe në disa pjesë të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, atje ku formacionet separatiste të mbështetura nga Rusia vazhdojnë të luftojnë kundër Kievit./VoA