Zgjedhja e raportuesit për Kosovë në KE, reagon Enver Hoxhaj

Sot “Komiteti për Politikë dhe Demokraci” i Këshillit të Evropës zgjedh raportuesin e ri për Kosovë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, ka shkruar në “Twitter” duke bërë krahasimin e kandidatëve për pozitën e raportuesit të ardhshëm për Kosovë.

“Sot Këshilli i Evropës mund të bëjë zgjedhje mes një ish-spiuni rus dhe një anëtari të respektuar të Bundestagut për të qenë raportues për Kosovën. Kjo zgjedhje është e rëndësishme për Ballkanin”, ka shkruar ai.

“Zgjedhja e një agjenti të GRU në një pozitë të tillë do të ishte goditje ndaj vlerave dhe mandatit të Këshillit të Evropës”, thuhet në reagimin e Hoxhajt.

Ditë më parë, gazeta gjermane “BILD” raportoi për njërin prej tre emrave të mundshëm për pozitën e raportuesit për Kosovë në KE.

Sipas gazetës gjermane, Alexei Kondratiew ishte anëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) deri në 2010. “BILD” shkruan se Kondratiew ishte edhe në Kosovë ndërmjet viteve 1999-2001.