Foto: Ganimete Musliu/Facebook

Zgjedhja e njeriut të PDK-së në KPM ngritet si çështje në Komisionin Parlamentar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, e ka ngritur si çështje zgjedhjen e Granit Musliut, ish-nënryetarit të Rinisë Demokratike të Kosovës si anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Batusha në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media tha se PDK e ka përgjegjësi që nuk e ka njoftuar Komisionin ad-hoc për këtë çështje.

“E kemi zgjedhë një anëtar të KPM-së që na si Komision duhet me u marrë herët a vonë, që PDK e ka përgjegjësinë që nuk e ka lajmëru që ka qenë anëtar, e nuk e ka kalu atë 2 vjetëshin te pjesa ligjore”, ka theksuar Batusha.

KALLXO.com ka gjetur se Musliu ka qenë anëtar edhe i komisionit zgjedhor në zgjedhjet e brendshme të PDK-së të mbajtura në fund të vitit 2018 dhe ka qenë aktiv në politikë duke marrë pjesë në shumë takime të PDK-së deri në vitin 2020.

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Musliun anëtar të KPM-së së bashku me Xhevat Latifin dhe Azdra Deshiq.

KPM-ja është institucion kushtetues dhe anëtarë të saj nuk mund të jenë personat që në 2 vitet e fundit kanë qenë anëtarë të organit udhëheqës të një partie politike.

“Personat që nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së: është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 12 të Ligjit të KPM-së.