Besnik Berisha KPM - Luljeta Aliu KPM

Zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, AGK: Përpjekje e hapur për politizim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është shprehur i shqetësuar me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM), Besnik Berisha.

Gjatë ditës, me katër vota për dhe një votë të pavlefshme, Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i Bordit të KPM-së.

Berisha është zgjedhur kryetar disa ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual të KPM-së, Jeton Mehmeti, më 20.01.2025.

“Zgjedhja e Besnik Berishës për kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual” – ka shkruar AGK në Facebook, më 17.01.2025.

Sipas AGK-së, votimi i sotëm shihet si përpjekje e hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme.

“Komisioni i Pavarur i Medieve, si organ kushtetues, luan rol të rëndësishëm në rregullimin e skenës mediale në Kosovë dhe, si i tillë, duhet ta ruajë pavarësinë e plotë dhe të mos lejojë ndërhyrjet politike” – ka theksuar AGK.

Në mbledhjen e KPM-së të premten, më 17.01.2025, tashmë ish-kryetar i Komisionit Jeton Mehmeti ka treguar rezultatin e votave që mori Berisha.

“Kanë votuar pesë anëtarët prezentë në këtë mbledhje. Me katër vota për është zgjedhur Besnik Berisha. Duke u thirrur në ligjin për KPM dhe në bazë të interpretimit të kryeshefit, Besnik Berisha zgjedhet kryetar i KPM-së”- ka thënë Mehmeti.


Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Niman Racaj tha se sipas rregullores Mehmeti duhet të mbaj pozitën e kryetarit të KPM-së pasi që sipas rregullores së miratuar, kryetari i ri merr detyrën pas përfundimit të mandatit.

“Kryetar rregullorja është që kryetari i ri zgjedhet, nis punën nga dita kur kryetarit i skadon mandatit”- tha Racaj.

Diskutime se kur Berisha nis detyrën e re pati pas përfundimit të votimit.

“Askund nuk e tham që ti shkarkohesh apo mandati yt digjet. Ne nuk të kemi shkarkuar. Ne e kemi rastin më të mirë, rastin e Gjykatës Kushtetuese që zgjedhet kryetari më herët”- tha Besnik Berisha, kryetari i sapo zgjedhur i KPM-së.

“Unë nuk kam siguri që pas zgjedhjes, ligji është më i qartë se rregullorja. Unë nuk mundem me vazhdu në këtë gjendje, unë mund vetëm me ta kalu drejtimin e seancës”- tha Jeton Mehmeti, kryetari aktual i KPM-së.

Në mbledhjen e Komisionit të Pavarur për Media janë propozuar emrat për kryetar dhe nënkryetar të ri të këtij institucioni.

Anëtari i KPM-së, Fitim Veliu propozoi që kryetar i KPM-së të jetë anëtari aktual, Besnik Berisha, ndërsa nënkryetare anëtarja tjetër, Luljeta Aliu.

Propozimi i Berishës dhe Aliut erdhi pas ndryshimit të rregullores për punën e brendshme të KPM-së.

Me tri vota për, një kundër nga kryetari aktual i KPM-së Jeton Mehmeti dhe një abstenim nga anëtari tjetër Fatih Basha, është votuar propozimi për plotësim ndryshimin e rregullores së punës së brendshme të KPM-së, e cila flet për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të ri të KPM-së.

Në nenin 3 të kësaj rregullore të propozuar nga anëtari i KPM-së Besnik Berisha është shtuar paragrafi “përjashtimisht nga paragrafi 1 i nenit 3, zgjedhja e kryetarit, përkatësisht nënkryetarit mund të bëhet një muaj para skadimit të mandatit të kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për të siguruar që KPM nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht nënkryetar në raste kur mund të mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.

Me të hapur mbledhjen e parë për këtë vit (17.01.2025), anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave kanë shprehur shqetësim lidhur me siç i quajtën ‘lajmet  e rreme’ se anëtarët e KPM-së kanë planifikuar që ta shkarkojnë kryetarin e KPM-së, Jeton Mehmeti.

Anëtari i KPM-së Besnik Berisha ka thënë se si pikë e rendit të ditës duhet të trajtohet tema për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së me qëllim që mos ta lë komisionin pa kuorum.