Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zgjedhja e kryetarit të PDK-së, procedurat sipas statutit të partisë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet ta zgjedhë kryetarin e ri në Konventën zgjedhore që do të mbahet më 3 korrik (e shtunë).

Procesi për zgjedhjen e të parit të PDK-së i paraparin kohës para zgjedhjeve lokale që të mbahen më 17 tetor të këtij viti si dhe ndryshimeve që pësoi udhëheqja e saj që nga fundi i vitit të kaluar.

PDK-ja deri më tash u drejtua nga Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, si Ushtrues i Detyrës së kryetarit, pas shkuarjes në Hagë të Kadri Veselit, në nëntor të vitit të kaluar, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, PDK u rendit e dytë, pas Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bërë subjekti politik më i madh opozitar.

“Gara” për kreun e partisë

Marrjen e pozitës së kryetarit të PDK-së po e synon Memli Krasniqi, kandidatura e të cilit është e vetmja e cila është shpallur zyrtarisht deri në publikimin e këtij artikulli.

Krasniqi deri më tani ka qenë nënkryetar i partisë dhe është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, Krasniqi u shpreh se ka ndier përgjegjësinë e madhe për të kandiduar.

“Më 3 korrik, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për kryetarin e PDK-së. Duke qenë krenar me rrugëtimin tonë për Kosovën, dhe duke ndier përgjegjësinë e madhe që kemi për të ardhmen, unë kam vendosur që të kandidoj për të udhëhequr PDK-në”, shkroi ai.

“Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithsecilin që do dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore”, thuhet mes tjerash në publikimin e Krasniqit.

Ndonëse ende nuk është bërë zyrtare, është raportuar se në garë për kryetar të partisë do të jetë edhe Enver Hoxhaj.

Më 9 qershor të këtij viti, Hoxhaj kishte folur për atë se kush mund ta udhëheqë tutje partinë pati thënë:

“Se kush mund të garojë, se kush ka ambicie ta udhëheqë PDK-në, kush ka vullnet, kush është ai që mund ta ruajë unitetin në parti, është çështje e atyre të cilët duhet t’i shfaqin ambiciet në Konventë dhe të vendosin anëtarët”, pati thënë ai.

Ai kishte shtuar se nuk do të flasë për kandidaturën potenciale të tij përderisa është kryetar në detyrë i PDK-së, me arsyetimin se “duke qenë i pari në parti në funksionin e Ushtruesit të Detyrës, i duhet të sigurojë parakushte demokratike që gara të jetë fer dhe e hapur”.

Zgjedhja e kryetarit sipas statutit të PDK-së

Statuti i Partisë Demokratike të Kosovës në nenin 38 e përcakton edhe procesin e zgjedhjes së kryetarit.

Në pikën 2 të këtij neni theksohet se kryetari zgjidhet nga Konventa e Përgjithshme e PDK-së me votim të fshehtë, e nëse për kryetar të partisë ka vetëm një kandidat, Konventa mund të vendosë që votimi të bëhet me ngritje dore.

Tutje në pikën 4 thuhet se kandidaturat mund të paraqiten deri 5 ditë para mbajtjes së Konventës dhe duhet t’i paraqiten kryesisë qendrore së bashku me nënshkrimet e 50 delegatëve.

Mandati i kryetarit të partisë zgjatë katër vjet, ndërsa për punën e tij i përgjigjet Konventës së Përgjithshme, theksohet në statut.