Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit: PDK thotë se s’do të përzihet në këtë çështje, nëse vjen në pushtet

Në emisionin “Debat Përnime”, kandidatët për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë shprehur qëndrimin e tyre në lidhje me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë.

Përparim Gruda ka deklaruar se asnjë ligj nuk i jep asnjë rol Qeverisë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit.

Ndikimi i Qeverisë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, sipas tij, nuk duhet të ndodhë, pavarësisht se kush e fiton pushtetin.

Ai është i sigurt se nëse Bedri Hamza bëhet Kryeministër, Qeveria nuk do të ketë asnjë rol në këtë përzgjedhje.

Gruda thotë se nëse kanë mundësi do të bëjnë edhe intervenim në ndryshimin e ligjit.

Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë është me ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2020, meqë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn në këtë pozitë.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.  

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Premtimet e PDK-së për reforma në drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës