Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, Kushtetuesja shpall të papranueshme kërkesën e Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit

Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të papranueshme mbi baza procedurale kërkesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamitit, të cilët e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në procesin për Kryeprokuror të Shtetit i pari kishte dalë Blerim Isufaj, ndërsa Shqipdon Fazliu ishte renditur i dyti, kurse Armend Hamiti i katërti.

“Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Të dy kandidatët në kërkesën e tyre drejtuar Kushtetueses kishin pretenduar se vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN  e ka monitoruar në të gjitha fazat procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Raporti i BIRN-it ka vënë në pah se në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Pas përfundimit të intervistimit dhe poentimit, kandidati më i poentuar ishte Blerim Isufaj, i cili kishte marrë 98 pikë nga 100 pikë sa ishte totali

I dyti është renditur kandidati, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sulejmani me 74.2 pikë.

Lidhur me vërejtjet për zhvillimin e këtij procesi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu takoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, për të diskutuar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, por ende nuk ka marrë vendim ose jo për dekretimin e Isufajt.

Më 21 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur Besim Kelmendin si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Shqipdon Fazliu i drejtohet Kushtetueses për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit