Zgjedhja e kryeprokurorit, Presidenca: Vendimi në këtë periudhë do të ishte i parakohshëm, presim vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dy muaj më parë ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit, ndërkaq Zyra e Presidencës në atë kohë kishte bërë të ditur se do të shqyrtojë dhe analizojë në detaje dokumentacionin e pranuar dhe se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pa u konsultuar me organizatat që e kanë mbikëqyrur procesin e përzgjedhjes së tij.

Zyra e Presidencës njofton se përgjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës, dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit janë ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat mund të kenë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit si dhe mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca ka kërkuar sqarime.

“Disa nga këto dokumente janë dërguar kurse disa të tjera do të dërgohen ndërkohë nga institucionet relevante. Pasi të kompletohet i gjithë dokumentacioni, ZPRK-ja do të vijojë me analizimin e mëtejmë të tyre”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Më 13 maj, Zyra e Presidentes së Kosovës është njoftuar përmes një shkrese zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, se njëri nga kandidatët në këtë proces ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit.

“Duke qenë se kjo kërkesë tanimë është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese dhe e njëjta do të shqyrtohet nga kjo Gjykatë, ZPRK-ja e vlerëson se një vendim potencial i Presidentes në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për kryeprokuror të shtetit, do të ishte i parakohshëm. Prandaj, ZPRK konsideron se është e nevojshme që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë kërkesë, në mes tjerash edhe për të evituar çfarëdo ndikimi në procesin e vlerësimit kushtetues të kërkesës në fjalë”, thuhet në deklaratë.

Sipas Presidencës së Kosovës, meqë funksioni i kryeprokurorit të shtetit tashmë është duke u ushtruar nga ushtruesi i detyrës dhe nuk mbetet vakant, ZPRK-ja vlerëson se vendimi për të pritur vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese është i arsyeshëm dhe njëkohësisht nuk është i lidhur me afate specifike kohore.

“Andaj, në këto rrethana, Zyra e Presidentes do t`i përcjellë me shumë vëmendje zhvillimet lidhur me këtë proces dhe më pas do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas kompetencave kushtetuese të Presidentes, duke u bazuar në përfundimet e nxjerra nga analiza e gjithë procesit”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndryshe, më 8 prill, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kishte pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për emërim të kryeprokurorit të Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, Zyra e Presidentes menjëherë pas pranimit të propozimit, ka filluar konsultimet me vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, për t’u njoftuar më tej për mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatit të propozuar.

Përveç analizimit të dokumentacionit fillestar të dërguar nga KPK-ja, më 20 prill Zyra e Presidentes gjithashtu ka kërkuar informata shtesë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës lidhur me procesin dhe procedurat e zhvilluara.

Lidhur me këtë proces të përzgjedhjes së kryeprokurorit ka pasur reagime të shumta në vend, nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat e huaja.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në fillim të prillit kishte votuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit.

Votimi i tij në krye të prokurorisë është kundërshtuar nga ambasadorët e huaj në Kosovë e organizata vendore, pasi sipas tyre janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.

Pas përzgjedhjes së Isufajt kishte reaguar shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, etj.

Edhe organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë kishin vlerësuar se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit. /Telegrafi