Zgjedhja e drejtorit të ri të SHSKUK-së, Bardiqi flet për kandidatin të cilit i lëshoi referencë
Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryesuesi i bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Naim Bardiqi, ka folur për konkursin për drejtor të SHSKUK-së.
Bardiqi është edhe kryetar i komisionit përzgjedhës të këtij konkursi.
Ai u pyet për njërin prej kandidatëve, Elvir Azizi, i cili nga 16 nëntori i 2021-tës deri më 30 maj të këtij viti ka punuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Pozita e tij ka qenë ekspert i angazhuar përmes Bankës Botërore.
Për këtë kandidat, KALLXO.com kishte raportuar se është edhe koleg i studimeve të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe janë parë të shoqërohen edhe shumë vite pas studimeve.
Azizi në aplikacionin e tij për pozitën e drejtorit të SHSKUK-së ka dorëzuar edhe një referencë të shkruar nga Naim Bardiqi.
Ky i fundit tregoi se me Azizin është njohur vetëm përmes punës.
“Elvir Azizin e njoh si ekspert i angazhuar përmes fondeve të partnerëve strategjikë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe se në kuadër të ekspertizës së tij ka dhënë inpute të rëndësishme profesionale në përputhje me termat e referencës që i ka pasur në kontratë” – tha sekretari i MSH-së.
“Ndërsa, asnjëherë në jetë nuk e kam njohur përpara, as nuk më kujtohet edhe gjatë kohës kur ka punu si ekspert, të jem familjarizuar në jetën private” – shtoi ai.
Sipas Bardiqit, Elvir Azizi gjatë punës së tij në Ministri të Shëndetësisë i ka raportuar Bankës Botërore, ndërsa përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes ndërkombëtare ka qenë sekretari, zyrtari kryesor administrativ, pra vetë Bardiqi.
Gazetarja Jeta Xharra e pyeti atë nëse i duket interesant që ai do ta vlerësojë referencën që e ka lëshuar vetë dhe nëse një kandidat tjetër mund të ankohet se ai po e mban me “hatër” Azizin.
Përgjigjja e kryetarit të këtij komisioni ishte se kjo është çështje e perceptimit nëse ai e ndien veten në konflikt interesi, gjë që tha se nuk e ndien.
Ai tregoi se ka marrë pjesë në shumë komisione përzgjedhëse, i monitoruar edhe nga Ambasada britanike dhe ka pasur referencë të mirë sa i përket integritetit dhe profesionalizmit.
Një shembull që ai dha është se kur i ka ndodhur që nuk e ka njohur një kandidat, mirëpo ka qenë me prejardhje nga i njëjti fshat dhe ka dashur të tërhiqet, siç thotë Bardiqi, Ambasada Britaneze i ka thënë “jo, vlerësojeni ju, a ndiheni të ndikuar në vendim”.
“Kështu që nuk ndihem në asnjë mënyrë i ndikuar në vendim” – vazhdoi ai.
Xharra e pyeti pse në këtë konkurs nuk është e përfshirë dhe nuk është ftuar Ambasada britanike si monitoruese.
Ai tha se me kënaqësi do t’i ftonte por meqë nuk kanë qenë prej fillimit të procesit, nuk vijnë, por prapë mund t’ua bëjë një kërkesë.
Xharra insistoi se pse nuk i ka ftuar me fillim. Ai u përgjigj se si sekretar nuk ka autorizim ta bëjë këtë, ndërsa si kryesues i bordit ka pasur vëllim të madh të punës.
Lidhur me mundësinë e ndikimit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në vlerësimin e tij në këtë konkurs, Bardiqi mohoi të ketë ndikuar Vitia ndonjëherë në vendimet e tij.
Ai madje thuri disa lavde për të.
“Një nga eprorët më korrekt në karrierën time. Disa përvoja i kam të ndryshme institucionale, por edhe private përfshi ato, të pasluftës, ka qenë Arben Vitia” – tha ai.
“A ka me ju pengu çështja e perceptimit, që ai shihet si dost i Arben Vitisë?” – ishte pyetja tjetër e Xharrës.
Këtë pyetje, Bardiqi e quajti sugjestive dhe tha se “ju nuk më pyetët për shembull a e njihni ndonjë prej kandidatëve të tjerë”.
“Unë e kam shok Basri Lenjanin. Me të kam dalë, kam pi, kemi marrë pjesë edhe nëpër evente të ndryshme, qe besa edhe me familje, por nuk keni pas foto” – tregoi ai.
Por, sikurse me rastin e Elvir Azizit, as këtu tha se nuk ndihet në konflikt interesi, sepse do të gjykojë drejt dhe me profesionalizëm.
Bardiqi tha se do të mbajë përgjegjësi për këtë përzgjedhje, do të kërkojë llogaridhënie dhe nëse drejtori që do të vijë në krye të SHSKUK-së nuk do të performojë mirë, si bord do të kërkojnë edhe largimin e tij.