Zgjedhja e anëtarëve të ri, flasin nga Këshilli Drejtues i UP-së

Zgjedhja e anëtarëve të ri të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës nxiti reagime në vend, derisa edhe Universiteti i Prishtinës doli të martën me një reagim për këtë situatë.

Në sqarimin e UP-së u përmend edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Drejtues, e thirrur nga rektori, Naser Sahiti me një pikë të rendit të ditës. Funksionalizimin e Komisionit Statuar, në mënyrë që të jepej një interpretim se cilët studentë kanë mandat për votim të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

UP-ja tha dje se KD nuk e mbajti këtë takim të thirrur.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të anëtarëve të Këshillit Drejtues që vijnë nga Ministria e Arsimit, për t’i pyetur në lidhje me këtë çështje.

Altin Sahiti, zëvendëskryesues i Këshillit Drejtues të UP-së, tha se ajo mbledhja e thirrur nga rektori, Naser Sahiti, nuk është mbajtur pasi paraprakisht dy mbledhje të planifikuara nuk u mbajtën për shkak të bojkotit të ish-anëtarëve të KD-së nga UP.

“Si do të mund të mbahej ajo mbledhje e thirrur nga Rektori, kur neve dy mbledhje na dështuan për shkak të bojkotimit të mbledhjeve nga anëtarët e Këshillit Drejtues që vijnë nga Senati vetëm një ditë para se të thirrej kjo mbledhje. Opinioni im ka qenë që emërimi i Komisionit sot për sot dhe sqarimet urgjente nuk do i rekomandoja”, tha Sahiti për KALLXO.com.

Sahiti shtoi se emërimi i anëtarëve të rinj në Këshill Drejtues është proces komplet i pavarur nga Këshilli Drejtues dhe si të tillë, UP e ka lënë që të rrjedh në formën si ka shkuar deri më tani.

Sahiti tha më tej se opinioni i tij personal për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues nga UP-ja nuk është e shëndetshme për integritetin e Universitetit, pasi sipas tij, disa nga votuesit kanë konflikt të interesit.

“Si p.sh.: Rektori dhe Prorektorët gjë që për mua është e çuditshme dhe anomali shumë e madhe se si është lejuar deri tani “kjo qeverisje e UP”, për shkak se anëtarët e Këshillit Drejtues janë mbikëqyrës të punës së Rektorit dhe Prorektorëve”, tha zëvendëskryesuesi i KD-së.

Ai shtoi se edhe përfshirja e studentëve në votime, është e dëmshme për Universitetin.

“Në Universitet duket të jete normale që anëtarët potencial për Këshill Drejtues të kërkojnë votë nga ata që do t’i mbikëqyrin në të ardhmen. Askush nuk siguron këtu se çfarë pazare munden me qenë brenda këtij procesi”, tha Sahiti.

Ai shtoi se këtë proces votimi e ka kontestuar si e ka marrë detyrën.

“Pa ndryshimin e sistemit të qeverisjes të UP, proceseve brenda të përzgjedhjes së anëtareve të KD, do të jetë shumë problem që vlerat brenda UP-së të vijnë në shprehje”, tha më tej Sahiti.

Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi morën votat në raundin e tretë të votimit për anëtarë të Këshillit Drejtues.

Reagimet ishin se KD i UP-së ‘po kapet nga politika’ dhe se personat që janë dërguar nuk kanë integritet akademik. Në reagime po ashtu u përmend edhe votimi i senatorëve studentë.

Reagime ishin nga shoqëria civile, njohës të arsimit si dhe nga Ministria e Arsimit.

KALLXO.com ka raportuar për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Këshillit Drejtues të UP-së.

Para se të fillonte mbledhja e senatit, në hyrje të Rektoratit u zhvilluan tensione nga ana e përfaqësuesve të studentëve që kanë qenë deri tani.

Mes tensionesh, zgjidhen anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së

Këshilli drejtues është organi kryesor qeverisës i universitetit. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa senati zgjedh pesë anëtarë të këshillit drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i universitetit.