Zgjedhen fituesit e grantit të performancës komunale, Rahoveci në vendin e parë

Komuna e Rahovecit është komuna me performancën më të mirë komunale për vitin 2020, duke u zgjedhur fituese në vendin e parë të kuadër të grantit të performancës komunale, që jepet nga Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze, Norvegjeze, Zvicerane, Bashkimin Evropian dhe Organizatën Demos.

Komuna e Rahovecit përfiton rreth 1 milionë e 150 mijë euro nga ky grant. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se paratë do të investohen në sektorë dhe projekte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

“Komuna dhe qytetarët e Rahovecit përfitojnë gjithsej 1,148,890.70 €, mjete që do të shfrytëzohen për investime kapitale në sektorë dhe projekte që rrisin mirëqenien dhe i kontribuojnë zhvillimit të ekonomisë sonë lokale. Padyshim, për ekonominë dhe komunën tonë, kjo është një shumë mjaft e madhe që do të ndikojë pozitivisht”, u shpreh ai.