Ilustrimi, Jeta Dobranja për BIRN

Zgjatja e rregullave deri në pikën e këputjes

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ofron qartësi afat shkurte, por ndryshon plotësisht rregullat politike të lojës dhe dobëson lidhjen mes vullnetit të elektoratit dhe zgjedhjes së qeverisë.

Të enjten mbrëma vonë, Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykim tjetër të rëndësishëm: që dekreti i Presidentit të emëronte Avdullah Hotin si kryeministër është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Aktgjykimi hap rrugën Kuvendit të Kosovës që të voton për qeverinë e re të koalicionit të udhëhequr nga LDK.

Megjithë thirrjet e brendshme dhe ndërkombëtare për t’iu pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, udhëheqësi i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti tashmë ka dhënë sinjale se partia do të kundërshtojë atë, dhe duket se ka gjasa që protestuesit së shpejti do të mbushin sheshet kryesore të Prishtinës.

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka mundësi të kufizuara institucionale, që me gjasë përfshijnë bojkotimin e punimeve të Kuvendit të Kosovës dhe mobilizimin për mbështetje publike për zgjedhje të reja. Suksesi i saj do të varet nga aftësia për të paraqitur plan veprimi koherent, i cili është i arritshëm dhe gëzon mbështetjen e gjerë të qytetarëve.

Nëse Vetëvendosje nuk mund të bllokojë formimin e qeverisë së re të koalicionit të udhëhequr nga LDK në Kuvend përmes marrëveshjes me PDK-në dhe partitë që përfaqësojnë pakicat jo-serbe, asaj i mbetet vetëm ta vë në dyshim legjitimitetin e qeverisë së re.

Thirrja e zgjedhjeve të parakohshme tani nënkupton shpërbërjen e Kuvendit me shumicë prej dy të tretave të deputetëve. Bindja e deputetëve të partive tjera në Kuvendin e Kosovës rreth nevojës për zgjedhje të reja duket detyrë pothuajse vështirë e arritshme në këtë fazë, veçanërisht duke marrë parasysh që sondazhet më të fundit i japin Vetëvendosjes një epërsi bindëse.

Në fakt, partitë e tjera në Kuvend tani duken shumë më të prirura të provojnë dhe izolojnë Vetëvendosjen, potencialisht madje duke mbështetur fillimin e procedurave penale ndaj udhëheqjes së saj duke u bazuar në pretendimet e fundit të bëra nga presidenti.

Rishkrimi i rregullave

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka rishkruar për herë të dytë rregullat e garës politike të cilat ishin në fuqi që nga fillimi i zbatimit të Kushtetutës në vitin 2008.

Gjatë krizës politike të vitit 2014, shumica e partive politike nuk pranuan t’i bashkëkohen PDK-së për formimin e qeverisë së re, duke këmbëngulur që institucionet e reja duhet të formoheshin nga koalicioni që kishte shumicën e votave në Kuvend. Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese nuk u pajtua, aktgjykimi i saj i vitit 2014 i dha të drejtën e parë për të formuar qeverinë partisë/koalicionit të renditur në vendin e parë në zgjedhjet parlamentare.

Aktgjykimi i vitit 2020 tani lejon rrethana të reja në të cilat mund të formohet  qeveria pa partinë ose koalicionin që fitoi shumicën e votave në zgjedhje. Po ashtu, aktgjykimi shtjellon çështjet e diskutueshme siç është diskrecioni i presidentit për të identifikuar shumicën politike në Kuvend që mund të formojë qeverinë e re, dhe afatet kohore rreth kësaj.

Aktgjykimi ka potencial të ndikojë në konkurrencën e ardhshme politike në shumë mënyra. Së pari, aktgjykimi ka mjegulluar më tej lidhjen midis asaj që paraqitet dhe u ofrohet votuesve gjatë fushatës elektorale dhe procesit pasues të formimit të qeverisë.

Përveç në rastet kurse një parti arrin të fitoj mbi 50 përqind të votave në zgjedhje, formimi i qeverisë tani do të varet edhe më shumë nga marrëveshjet e bëra midis partive politike dhe më pak nga ajo se për cilat parti elektorati ka ofruar mbështetje. Si rezultat, votuesit do ta kenë edhe më të vështirë të besojnë se preferencat e tyre politike që i shprehin në kutinë e votimit do reflektohen në mënyrë burimore nga partitë politike kur të formohen institucionet.

Këto ndryshime do ta bëjnë të vështirë për votuesit që të realizojnë llogaridhënie zgjedhore karshi partive dhe kandidatëve që kanë votuar, e për rrjedhojë deputetët dhe ministrat do të japin më tepër llogari udheheqjes së partive të tyre sesa elektoratit. Kjo gjithashtu e bënë demokracinë e Kosovës të lëndueshme ndaj ndikimit të jashtëm, ku arritje e synimeve bëhet përmes presionit vetëm ndaj disa figurave kryesore brenda partive politike.

Vendimi gjithashtu do të tkurr fuqinë politike të kryeministrit. Kjo duket që do të dobësojë trendin që është shfaq në ciklet e fundit të zgjedhjeve ku partitë politike përqëndronin fushatat e tyre rreth kandidatëve të tyre për kryeministër.

Nga ana tjetër, kompetencat e presidentit do të zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme, tani që presidenti do të jetë në gjendje të ofrojë mandatin koalicioneve që kanë shumicë parlamentare në rrethana të ndryshme. Kjo do të jetë veçanërisht e rëndësishme në momentet kur partia fituese dhe presidenti nuk janë nga e njejta parti politike, dhe për rrjedhojë shtohet nevoja më shumë për presidentë apartiak.

Zgjerimi i kompetencave të tilla të Zyrës së Presidentit do të fuqizojë rolin dhe ndikimin e saj kushtetues mbi institucionet, por nuk do të shtojë mundësitë, që tashmë janë të kufizuara, për llogaridhënie të Presidentit për veprimet e tyre. Presidenti do të bëhet një nga ndërmjetësit dhe përcaktuesit kryesorë se kush do të mund të qeverisë me vendin.

Mosmarrëveshja e fundit politike dhe kushtetuese në Kosovë është simptomë e ”sëmundje” më të cilën po ballafaqohen shtetet tjera në regjion, të sfiduara me nevojën për të balancuar mes vullnetit të qytetarëve, zgjedhjeve të ndershme, formimit të institucioneve dhe cilësisë së demokracisë.

Përderisa gara politike midis partive po bëhet më e polarizuar dhe mbështetja për partitë populiste po rritet, vërehen tendeca në rritjeautoritare të partive në pushtet për të kontrolluar institucionet kryesore të sistemit politik në mënyrë që të ruajnë pushtetin e tyre.

Transformimi politik po pengohet nga gara e shtrembëruar politike, e cila përqëndrohet më shumë në negociatat politike midis partive dhe më pak në zbatimin e vullnetit të votuesve të shprehur në kutinë e votimit. Qeveria dhe kush qeverisë është më tepër reflektim i asaj i marrëveshjeve të fshehta mes partive politike sesa i asaj se çfarë kanë kërkuar votuesit.

Opinonet e paraqitura në rubrikën e Mendimeve janë pikëpamjet e autorit dhe nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e BIRN.

Blerim Vela është një studiues i doktoratës në Departamentin e Politikës në Universitetin e Sussex-it