Made in Kosova - Foto: REL/EPA

Zëvendësohet 'Plazma', por mbetet 'Argeta' e djathi 'Feta'

Lista e produkteve ushqimore që po kërkon t’i blej Agjencia Qendrore e Prokurimit vazhdon te ketë në vete emra të produkteve të caktuara, të cilat e dëmtojnë konkurrencën.

Kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar të hënën për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Derisa Plazma është zëvendësuar me prodhimin e Kosovës, “Sempre”, Eurokremin e kanë zëvendësuar me “Nutell”, një prodhim i huaj.

Por, në këtë listë të produkteve vazhdon të mbetet pashteta “Argeta”, që është prodhim slloven. Ndërkohë, në Kosovë ka fabrika të ndryshme për përpunim të mishit. Pronari i Fabrikës “Meka”, Burim Piraj kishte thënë se kanë prodhime të pashtetës.

Në këtë listë të produkteve, AQP-ja ka kërkuar të blejë pasta të ndryshme, të cilat janë kërkuar të jenë “Divella” apo ekuivalente.

Në listë figuron edhe emri i produktit “Vegeta”, që është mëlmesë. Në këtë listë janë edhe emrat e produkteve si: “Halta” dhe “Zdenka”, “Djathë Feta”, si dhe peshku i konzervuar “Sardina”.

Pika 7 e nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik e ndalon që Autoritetet Kontraktuese në specifikimet teknike t’i referohen një artikulli ose burimi të veçantë.

“Autoriteti kontraktues nuk do të përpilojë specifikimet teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenje dalluese, lloji ose origjine të veçantë ose ndonjë prodhimi”, thuhet në pikën 7 të nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

E njëjta pikë e këtij neni lë hapësirë për Institucionet që t’i referohen edhe me artikuj të veçantë, por “ne kushte të jashtëzakonshme”.

“Pavarësisht nga e mësipërmja, autoriteti kontraktues mundet, që në kushte të jashtëzakonshme, të hartojë specifikime teknike ose të bëjë një referim të tillë të veçantë, nëse autoriteti kontraktues në mënyrë të qartë vërteton se, nuk është e mundur që të përpilojë një specifikim mjaft të saktë dhe të kuptueshëm të lëndës së kontratës përkatëse, në pajtim me paragrafin 3-6. të këtij neni ose ndryshe; me kusht që, çfarëdo referimi i tillë të shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent”, thuhet në pjesën e dytë të kësaj pike të nenit 28.

https://kallxo.com/qeveria-e-zevendeson-biskoten-plazma-me-sempre/

.