Zëvendësministri Xhelal Sveçla dorëzon kallëzimin penal ndaj presidentit Thaçi

Sot ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dorëzuar në Prokurorinë e Prishtinës kallëzim penal kundër presidentit Hashim Thaçi në lidhje me deklarimet e tij për të mos respektuar vendimin e Qeverisë Kurti rreth masës së kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Sipas Sveçlës, presidenti në konferencën e javës së kaluar ka bërë thirrje për mos-respektim të vendimit të Qeverisë.

“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës   dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim    kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, citohet të ketë thënë presidenti.

Sipas njoftimit një deklarim i tillë është jashtë kompetencave të presidentit.

“Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihen gjithsej 30 nga kompetencat e Presidentit të vendit. As edhe njëra prej tyre nuk ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të Qeverisë. Kjo kompetencë u takon gjykatave”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas njoftimin presidenti Thaçi me deklarimin e tij ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët.

“Përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të “kontribuojë” në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19, si rezultat i qytetarëve që nuk do të respektonin vendimin e Qeverisë – sipas rekomandimeve të Presidentit”, thuhet tutje aty.

Kallëzimi penal sipas MPB-së është ngritur nën dyshimin se presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë”.

“Në lidhje me këtë, dhe marrë parasysh se ne jemi të dedikuar t’i respektojmë organet e drejtësisë dhe të krijojmë një shtet ku sistemet janë me të vërtetë të ndara, z. Sveçla dorëzoi Kallëzimin Penal kundër Presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se Presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë” të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Qeveria Kurti në hënën kishte marrë vendim për vendosjen e ‘orës policore’.

E në një konferencë të hënën vonë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi është i rrezikshëm për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

Sipas presidentit, vendimi i Qeverisë Kurti është shkelje e Kushtetutës dhe qytetarët nuk janë të obliguar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë për këtë.

“As policia, as organet e sigurisë, nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të Qeverisë sepse kështu bëjnë edhe vetë vepër penale”, ka thënë ai.

Thaçi: Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti