Foto: ZKM

Zëvendësministri i ri i Arsimit zotohet për ndryshim thelbësor në arsim

Zëvendësministri i sapoemëruar i Arsimit, Taulant Kelmendi, me të marrë detyrën ka dhënë disa zotime për punën që do të kryejë.

Ai ka premtuar se do të angazhohet për ndryshime thelbësore në arsim, duke siguruar arsim cilësor dhe përgatitje për botën e sotme e të ardhmen për të gjithë nxënësit dhe studentët.

Kelmendi thotë se gjatë angazhimit të tij të deritanishëm ka identifikuar mundësi të pafundme për ndërlidhje dhe progres mes fushave të arsimit, teknologjisë dhe inovacionit.

“Ndërlidhja e arsimit me kërkesat e tregut të punës është sfidë e rëndësishme në arritjen e këtij qëllimi. Unë jam i gatshëm të eksplorojmë mënyrat më të mira e inovative për të arritur objektivat e Qeverisë tonë” – ka shkruar zëvendësministri në “Facebook”.

Ai tha se do të punojë ngushtë me ministren, Arbërie Nagavci dhe ekipin e saj, që e cilësoi si të përkushtuar.

Në fund, ai ka shprehur gatishmërinë e tij për të punuar me secilin për arsim më të mirë.

Taulant Kelmendi u emërua sot zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

Vitin e kaluar, Taulant Kelmendi ishte zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes në Pejë.

Poashtu në vitin e kaluar, ai ishte emëruar nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje koordinator i Qendrës së Vetëvendosjes në Pejë.