Zëvendësministri i Qeverisë Kurti i dhuron mbushjet e telefonit për donacione

Zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Edison Jakurti, përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka thënë se zëvendësministrat e Qeverisë së kaluar kishin në dispozicion 144 mijë euro mbushje telefonike në vit.

Ai ka kritikuar qeverisjen e kaluar, duke thënë se kur mungon ndjeshmëria ndaj rrethit, i lejon privilegje të tilla absurde.

“Këto që shihni në foto nuk janë veç 30 kartela me mbushje telefoni prej 5 euro. Ky në fakt është privilegji i Zv. Ministrave të PAN-it. Pra, 150 euro në muaj për telefon. I bie që 80 Zv. Ministra për 1 vit kishin në dispozicion mbushje telefoni në vlerë prej 144,000 euro. Ndërsa, për një të varur nga ndihma sociale kishin ndarë mesatarisht 23.7 euro në muaj”, ka shkruar Jakurti.

Ai gjithashtu ka thënë se nga 1 maji ka hyrë në fuqi vendimi i kryeministrit që e lejon vetëm 1/3 të kësaj shume, ndërsa ka bërë të ditur se mbushjet që i ka në dispozicion si zv/ministër do t’i japë për donacion.