Agim Krasniqi, Zëvendësministër i Financave dhe Transfereve

Zëvendësministri i Financave: Presidenca e Kuvendi po ndajnë shtesa prej 500-600 euro për stafin e tyre

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka deklaruar se stafi i Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës po ndajnë mjete shtesë në rrogat e tyre këtë fundvit.

Sipas Krasniqit, punonjësit e këtyre institucioneve po marrin shtesë rreth 500-600 euro.

“Lulëzim ekonomik për Kuvend e për Presidencë të Republikës së Kosovës. Nuk po dije asgjë, unë nuk paskam kuptu e dëgju se në Kosovë tani kemi rritje dhe lulëzim ekonomik. Nuk po e kuptoj si dikush ka humbur vendet e punës, si dikush nuk ka marr page fare këtë vit. Dy institucionet kryesore në vend, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Presidenca e Kosovës këtë e paskan kuptuar sepse tani për festa të fund vitit po ndajnë krahas pagave të tyre të ‘ulta’ edhe nga një shtesë rreth 500-600 euro. A mund të pritet qv dhe stafit tjetër publik, sektorit privat dhe qytetarëve qv kanë paga të ‘larta’ do t’i ndajnë nga 1000 euro?”, ka shkruar ai në Facebook.

Pas këtyre deklarateve, ka reaguar këshilltari politik i kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Faton Peci.

Ai ka theksuar se kryetarja Osmani nuk e ka votuar vendimin për shtesa në paga.

“Vendimi i Kuvendit është kolegjial. Në Kryesi marrin pjesë të gjitha partitë, teksa këtë vendim Kryetarja e Kuvendit nuk e ka votuar”, ka shtuar këshilltari i Osmanit.

Peci ka kërkuar përgjigje nga zëvendësministri Agim Krasniqi lidhur me vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit muaj më parë.

“Para se të flasë për ‘lulëzim ekonomik’, në Kuvend e Presidencë zëvendësministri i financave le t’i tregon qytetarëve të Kosovës ku u avulluan 2.1 million euro të taksapaguesve të Kosovës. Sa për vëmendjen e zv.ministrit dhe të publikut, Kuvendi i Kosovës ia ka rikthyer Qeverisë në rishikim të buxhetit mbi 1.5 milion euro kursime! Prandaj, zv. ministër (drejtor i buxhetit i PAN-it), ku mbeten 2.1 milion euro?!”, ka shkruar Peci në Facebook.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi dhe është në pritje të përgjigjes.