Zëvendësministri i Arsimit: Tubimet partiake në shkolla duhet të ndalohen

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ zëvendësministri i Arsimit Xhavit Rexhaj ka folur për tubimet e partive politike të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore.

“Unë jam i mendimet që të ndalen këto tubime (tubimet partiake) në shkolla. Nesër i kisha ndalu me mujtë. Vetëm një udhëzim administrativ duhet. E kam diskutuar në ministri, mendoj se duhet të ndalohet”, ka thënë Rexhaj.

I pyetur se pse nuk janë ndalur këto tubime në kohë të fushatës, Rexhaj është përgjigjur se nuk i ka rënë në mend.

“Nuk më ka ra në mend. Mendoj se duhet të bëhet, nuk është punë e vështirë. Është pastruar shkolla dhe ato nuk mbahen në çdo klasë, por në një hapësirë të përbashkët”, ka thënë ai.

Më 14 shkurt në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare.

KALLXO.com ka raportuar për fushatat zgjedhore të partive politike dhe mosrespektimin e masave anti COVID nga ato parti.