Zëvendësministri i Arsimit tregon se çfarë ndodhë nëse shënohet ndonjë rast me COVID-19 në shkolla

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se si është planifikuar menaxhimi i situatës me COVID-19 në shkollat e Kosovës.

Sipas tij, në rast se në ndonjë klasë shënohet ndonjë rast i infektimit me COVID-19, atëherë klasa kalon në mësim online.

“Secila shkollë duhet ta ketë dhomën e kujdesjes në rast se ndonjë nxënës  ka simptoma, mandej nëse dëshmohen ato simptoma, vjen prindi, vjen QKMF-ja  dhe bën një diagnostifikim të parë ose bëhet testimi, nëse dëshmohet se ka coronavirus, që shpresojmë që asnjë nxënës nuk infektohet, në atë rast ajo klasë do të kalojë në mësimin online, edhe klasa edhe mësuesi”, ka treguar Rexhaj për KALLXO.com.

Të hënën është paraparë të filloj mësimi për të gjitha shkollat e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, ka prezantuar dje vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili do të organizohet në dy faza.

Ndërkohë, faza e dytë, fillon më 21 shtator, në të cilën përfshihen klasat, 7, 8, 9, 11 dhe 12, sipas skenarit B, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Po ashtu, Ministria e Arsimit ka paraparë edhe testimin e 1500 mësimdhënësve për COVID-19, para se të fillojë mësimi.