Trafiku në Prishtinë Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zëvendësministri Hysen Durmishi: Marrëveshjen për taksën 5 euro e kemi gjetur të gatshme

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka lëshuar një sqarim lidhur me marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Sipas Durmishit, kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën e ministrit Pal Lekaj.

Ai thotë se si procedurë ka qenë përmes shprehjes së interesit ku kanë aplikuar disa kompani dhe në fund nga komisioni vlerësues është zgjedhur kompania e përgjegjshme fituese.

“Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021”, ka shkuar Durmishi në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion, teksa shton se do të mundësojë që shumë shpejtë të arrijnë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe nga partitë opozitare. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë qytetarëve që të protestojnë ndaj kësaj takse.

Ky është postimi i plotë i zëvendësministrit Hysen Durmishit:

Sqarim për opinionin publik në lidhje me marrëveshjen për “tiketa ngjitëse”

Kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj.

Si procedurë ka qenë përmes shprehjes së interesit ku kanë aplikuar disa kompani dhe në fund nga komisioni vlerësues është zgjedhur kompania e përgjegjshme fituese.

Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021.

Çka përfiton Kosova nga kjo marrëveshje?

Në Kosovë aktualisht janë 20% deri 30% të automjeteve të paregjistruara. Kriteri kryesor për aplikim për kartonin e gjelbërt është që ky numër të zbret nën 5%.

Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve e kanë vendosur një taksë prej 30 eurove në emër të mbulueshmërisë së dëmeve të shkaktuara nga aksidentet e makinave të paregjistruara.

Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë heqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotsojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbërt me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrollë teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente.

Të dashur qytetarë,

Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj por tani po e bëjmë këtë hap të domosdoshëm në mënyrë që shumë shpejtë të përfitojmë individualisht secili nga ne dhe kolektivisht si shtet.