Zëvendësministri flet për certifikimin e Aeroportit të Prishtinës: Është më i sigurti në Ballkan

Zëvendësministri i Infrastruktruës, Hysen Durmishi, ka thënë se sot pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ është më e sigurta në Ballkan.

Teksa u pyet në ‘Kallxo Përnime’ për rrëfimin e Demë Elezajt, një ish inxhinier që kishte ngritur problemet me sigurinë e pistës së Aeroportit, Durmishi tha se mbikëqyrja për projektin e Aeroportit ka qenë ndërkombëtare.

“Kontrata, së pari mbikëqyrja ka qenë ndërkombëtare në këtë projekt. Në afat rekord janë kry punimet aty dhe sot pista e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ është më e sigurta në Ballkan. Po e them unë dhe e kanë thënë të gjithë ekspertët. Për shkak se përfundimi i projektit të pistës dhe pajisjet e navigacionit që janë instalu në pistën e Aeroportit, e bëjnë pistën në kategorinë 3B që është vetëm Aeroporti i Beogradit. Komplet projekti është mbyllë në janar dhe ka përfundu pranimi teknik aty. Tash aty ka afat garantues”, tha Durmishi.

Sipas tij, certifikimi i pistës së Aeroportit nuk është kontestuar asnjëherë nga askush.

“Të gjitha këto janë sanuar dhe pjesa më e madhe e atyre fotografive… mbikëqyrësi i kësaj kontrate është amerikan dhe të gjitha ato defekte me kabllo e kështu, kanë qenë në pjesën e vjetër, jo në pjesën e re të pistës. Tash aty ka procedura, secili pozicion certifikohet prej këtyre, nuk e di saktë si quhen ato të Bashkimit Evropian që merren me pistat e aeroporteve. Nuk është kontestu (certifikimi)”, pretendoi Durmishi.

Gjatë muajit të kaluar, në ‘Kallxo Përnime’ është transmetuar rrëfimi i Demë Elezajt, inxhinierit të ndriçimit i fushës ajrore që punon në Aeroportin e Prishtinës prej vitit 2002, i cili e kishte humbur punën pasi që kishte ngritur problemin e sigurisë në pistën e Aeroportit.

Sipas tij, problemi me pistë rrezikon operimin e aeroplanëve dhe lejon mundësinë e ndonjë aksidenti.