Zëvendëskryeministrja Rexhepi kërkon nga Bullgaria përkrahje më të fuqishme për liberalizim të vizave

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, gjatë një takimi me homologun e saj bullgar, Atanas Pekanov, kërkoi nga Bullgaria përkrahje edhe më të fuqishme për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave përmes lobimit te vendet anëtare.

Sipas një njoftimi për media, Rexhepi theksoi se vendi ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara si dhe ka shënuar progres evident në fushën e sundimit të ligjit.

“Zëvendëskryeministri Pekanov shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyeshëm të raporteve të ndërsjella, duke shtuar se aktualisht nuk ekziston asnjë gjë që na ndan, përkundrazi të dyja palët shohin potencial të madh për thellim të raporteve në nivelin më të lartë institucional, rritje të shkëmbimeve ekonomike, kulturore, e në veçanti në turizëm. Zëvendëskryeministri Pekanov shprehu keqardhje për pamundësinë e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonën Shengen dhe se kjo padrejtësi duhet të përfundojë sa më parë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se zëvendëskryeministri Pekanov konfirmoi se Bullgaria do të vazhdojë të jetë një prej avokuesve kryesor në procesin e integrimit europian të Republikës së Kosovës, veçanërisht në përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave.

Në fund, zëvendëskryeministrja Rexhepi përmendi disa prej angazhimeve dhe aktiviteteve në vazhdim të Ambasadës së Kosovës në Sofje, drejt krijimit të platformave në funksion të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që qytetarët e saj ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.