Albulena Balaj- Halimaj, Deputete. Foto: Kallxo.com

Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj: E kam gjetur zyrën pa simbole shtetërore

Zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e Nismës, Albulena Balaj-Halimaj, ka deklaruar se në zyrën e saj në qeveri nuk i ka gjetur simbolet e shtetit të Kosovës.

“Kur kam hyrë në zyrën time atje në Qeveri nuk ka pasur flamur askund, as Deklaartë të Pavarësisë, sepse ato dikush i ka hequr. Për të mos bërë shpenzime, ne po presim nga administrata që t’i plotësojë ato. Dikush i ka hequr këto nga zyret”, tha ajo.

Pas kësaj reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se kjo deklaratë është shqetësuese, duke kërkuar nga Balaj-Halimaj që të tregojë se a ka ndodhur kjo në zyrën e ish-zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, apo të Haki Abazit.

“Zyret e Kryeministrisë nuk janë OJQ. Bile edhe OJQ-të do të duhej t’i mbanin. Kushdo që e ka bërë atë, ne duhet ta dijmë. Kushdo që i ka hequr duhet të jetë i turpëruar”, tha ai.

Por, ajo tha se nuk e di se kush e ka shfrytëzuar më herët atë zyrë.

“Nuk e di kush i ka bërë ato. Nuk e di kush e ka pasur më herët atë zyrë. Është e vërtetë, nuk ka pasur flamur, Deklaratë të Pavarësisë, asgjë. Ka qenë e shkatërruar. Administrata është duke punuar të plotësohet”, tha ajo.

Kurse, deputeti nga LVV-ja Rexhep Selimi tha se po regaon pasi po vihen në dyshim situata të pavërteta.

“Nuk e di në cilën zyrë është sot zëvendëskryeminitrja, por dua t’ju them se këto janë shpifje. I keni parë të gjitha paraqitjet publike të qeverisë Kurti, nuk kemi bërë ndryshime. Dhe nuk është e vërtetë që janë gjetur ashtu zyrat”, tha ai.

Pas tij reagoi edhe deputeti, Endrit Shala nga Nisma duke thënë se zëvendëskryeminsiterja Balaj-Halimaj foli për kabinetin e kryeministrit, ku janë vendosur zëvendëskryeministrat.

“Ne e dimë kush ka qenë më herët në atë kabinet”, tha ai.