Zëvendëskryeministri: Nuk i kemi 2/3 e votave në Kuvend, votimi i marrëveshjeve në vullnet të deputetëve

Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i Kosovës, u ka bërë lutje deputetëve për votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur pa u miratuar që nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se marrëveshjet kanë ardhur prej disa qeverive dhe është në vullnet të deputetëve për votim.

“Shumicën parlamentare 2/3 ne nuk e kemi këto nuk janë projekte që i hyjnë në funksion një subjekti apo tjetër nëse ka vullnet atë herë 2/3 i ofron parlamenti nëse nuk ka çka vazhdojmë më shumë vetëm humbim kohë dhe i humbim disa projekte të mira për Kosovën”, tha ai.

Mungesa e kuorumit në seancën e 11 qershorit në Kuvendi të Kosovës ka bërë që të mos mund të shqyrtohen pesë projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare.

Projektligjet të cilat nuk u arrit të shqyrtohen, janë:

  1. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
  2. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
  3. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
  4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
  5. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”,

Kujtojmë se dështimi për të votuar marrëveshjen në lidhje me ujërat e zeza në Gjilan kishte nxitur reagime nga zyrtarë të shumë partive.

 

“Lufta politike” në Kuvend lë të pa ratifikuar projektin për ujëra të zeza në Gjilan