Zëvendëskryeministri nga radhët e AAK-së: Shokues vendimi i Kushtetueses për Ligjin për Paga

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga AAK-ja, Besnik Tahiri, e ka quajtur shokues vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Paga.

Sipas Tahirit nuk është lënë hapësirë për korrigjim në pak pjesë kontestuese.

“Shokues vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave, pa lënë hapësirë për korrigjimin e tij në ato pak pjesë kontestuese. Ky është mohim të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62000 shërbyes civilë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Tahirit, policët, punëtorët shëndetësorë, punëtorët e arsimit, e shumë kategori të tjera meritojnë paga, ashtu siç janë paraparë nga Qeveria Haradinaj.

“Posa ta pranojmë vendimin, ne do të evitojmë lëshimet që kanë sjellë deri te anulimi i këtij ligji dhe me ngulm insistojmë që i njëjti me plotësimet e kërkuara të votohet dhe të hyjë në zbatim me urgjencë!”, thuhet në reagimin e tij.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Prandaj e ka shpallur të pavlefshëm atë dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti. Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon Ligjin për Pagat