Zëvendëskryeministri i Luksemburgut paralajmëron 35 milionë euro investime në Kosovë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me homologun e saj nga Luksemburgu, ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë, Xavier Bettel.

Pas takimit, Gërvalla tha se vizita e Bettel në Kosovë, është një dëshmi e qartë thellimit dhe bashkëpunimit dypalësh dhe për të forcuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejtë bashkëpunimit të qëndrueshëm”- tha Gërvalla, duke përmendur se Luksemburgu e ka ndihmuar Kuvendin për votimin elektronik.

Ajo përmendi edhe bashkëpunimin me Luksemburgun për ndihmën që është dhënë për votimin elektronik në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, ministri Bettel ka thënë se shteti i tij do të jetë çdo herë në krah me Kosovën me investime milionëshe.

“Ne duhet të bëjmë çmos që ta shmangim luftën. Nëse jemi të dobishëm do ta shmangim çfarëdo lufte dhe është detyrë e jona. Një vizitë në Kosovë nuk është kundër Serbisë. Dhe një vizitë në Serbi nuk është ndaj Kosovës”- tha ai.

Bettel tha se fqinjin nuk mund ta zgjedhim, por mund ta zgjedhim forma bashkëpunimi në të ardhmen.

“Jam këtu që për ta ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme dhe do të jenë rreth 35 milionë euro investime, këto projekte kreative e në sektorë të IT-së, sepse është e rëndësishme për situatën tuaj ekonomike” – ka thënë ai.

Ai përmendi që në Luksemburg janë një numër i madh i shqiptarëve, duke përmendur që një shqiptar e ka në staf me të cilin ka raporte shumë të mira.

“Ai është shumë xheloz që jam sot në Kosovë”- tha ai.

Bettel u shprej se Luksemburgu do të jetë çdo herë në krah me Kosovën me investime milionëshe.

“Unë kam ardhur si shok. Kam qenë edhe si kryeministër. Kur jeni të suksesshëm keni shumë miq”- tha ai.

Pas takimit me Gërvallën, Bettel do të takohet me zëvendkryeministrin, Besnik Bislimi një për të nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, e më pas do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Bettel kishte vizituar Kosovën në korrik të vitit 2023, atëkohë si kryeministër i vendit.

Shënim: Ky artikull është edituar në titull dhe në tekst te vlera monetare e memorandumit. Koha e editimit: 04.11.2024, ora 17:40.