Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Zëvendëskryeministri Hoti flet për marrëveshjen e sotme Kosovë - Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media në Gjermani tha se taksa ndaj Serbisë duhet të hiqet, por jo edhe reciprociteti.

“Taksa duhet të hiqet, ne duhet ta ruajmë sovranitetin tonë, atë qasje që ka Serbia ndaj nesh të njëjtën ne duhet ta kemi ndaj Serbisë do të thotë masa reciproke,” tha Hoti.

“Në mënyrë që të lëvizin përpara, duhet t’i zgjidhim problemet me Serbinë,” theksoi tutje ai

“Të njëjtat probleme që i kemi ne me Serbinë në komunikimin në lëvizjen e lirë të qytetarëve, në njohjen e diplomave, eksportin e mallrave, transportin, të njëjtat çështje Serbia duhet t’i zgjidhë në mënyrë që ne të lëvizim përpara,” shtoi ai.

Gjithashtu në këtë konferencë Hoti foli edhe për zotimet që janë bërë sot me shtetin fqinj.

“Këto që janë nënshkru sot nuk janë marrëveshje, janë zotime apo letra të qëllimit që tregojnë objektivat që kanë dy vendet fqinje për të siguruar lidhje më të mirë infrastrukturore në mes vete. Unë pres që këtë vit të bëjmë hapa konkretë meqenëse brenda BE-së është kompletu Komisioni Evropian,” vazhdoi tutje ai.

Hoti thotë se letrat që janë nënshkruar janë në interes të Kosovës pasi që “dy shtete fqinje kanë nënshkruar marrëveshje për lidhje më të mirë infrastrukturore mes vete”.

“Janë tri gjera që duhet t’i kemi parasysh: e para të vlerësojmë lartë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë duhet ta marrin parasysh në mënyrë që të bëhet gjithë ai presion mbi Serbinë për të shkuar drejt zgjidhjes përfundimtare, e dyta vlerësoj se letrat që janë nënshkru janë në interesin më të mirë për Kosovën, sepse dy shtete fqinje nënshkruajnë letrat qëllimit ku shfaqin objektivat e tyre për lidhje më të mirë infrastrukturore mes vete dhe ajo që është më e rëndësishme e treta ne do të bëjmë gjithçka si partnerë qeverisës që qeveria e re të marrë plotësisht përsipër agjendën e dialogut të cilin qeveria e kaluar e ka injoruar plotësisht,” u shpreh tutje zëvendëskryeministri i Kosovës.