Zëvendëskryeministri Bislimi takoi kongresmenin Ritchie Torres, e informoi për sulmin terrorist në Zubin Potok
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka takuar më 06.12.2024 kongresmenin amerikan, Ritchie Torres.
Bislimi po zhvillon një vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi, ndër të tjera, Bislimi e informoi kongresmenin Torres edhe mbi sulmin e fundit terrorist të një jave më parë në Varagë të Zubin Potokut.
“Ai e informoi kongresmenin Torres edhe mbi sulmin e fundit terrorist të një jave më parë në Varagë të Zubin Potokut, në kanalin e Ibër-Lepencit, që kishte për synim ndërprerjen dhe vështirësimin e shërbimeve esenciale”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Po sipas njoftimit, në fokus të diskutimit mes Bislimit dhe Torres ishte perspektiva euro-atlantike e Kosovës dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Bislimi, sipas ZKM-së, theksoi veçanërisht rëndësinë për mbështetje drejt anëtarësimit në NATO, si një proces me rëndësi gjeostrategjike për vendin por edhe për rajonin.
Gjithashtu, thuhet në njoftim, Bislimi e informoi kongresmenin amerikan edhe për progresin demokratik e ekonomik që ka arritur Kosova në katër vitet e fundit.