Zëvendëskryeministri Abazi takohet me minatorët grevistë të Trepçës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka njoftuar se mbrëmë është takuar me disa minatorë të Trepçës, që  kishin filluar një grevë.

Abazi ka shkruar në ‘Facebook’ se në këtë takim ishte edhe kryetari i Mitrovicës, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Kombinatit Trepça.

“Në nivelin e 11-të të minierës “Stan Terg” të Mitrovicës, kemi diskutuar gjatë për të drejtat dhe kushtet në punë.Dolëm së andejmi, duke u pajtuar për të vazhduar përpjekjet zgjidhjen e problematikave të grumbulluara me dekada, në këtë sektor me rëndësi kombëtare për ekonominë e Kosovës”, ka shkruar Abazi.

Rreth 40 punëtorë ditën e djeshme ishin mbyllur në minierën e Trepçës duke paralajmëruar grevë, për shkak të konkursit të fundit në Trepçë. Këta punëtorë ishin pranuar në konkurs, ndërsa kërkojnë që kontratat e punës t’u bëhen sa më shpejtë, pasi sipas tyre, ka një vit që janë duke punuar si praktikantë.

Ngujohen në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës rreth 40 punëtorë