Zëvendësi i Agim Veliut, i suspenduar dhe degraduar me dyshimet për kanosje dhe vozitje nën ndikim të alkoolit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka emëruar Ylldiry Bayram zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të udhëhequr nga Agim Veliu i LDK-së. Emërimin e tij e ka konfirmuar edhe Partia Demokratike Turke (KDTP) përmes një njoftimi në faqen e partisë në ‘Facebook’.

Bayram është punëtor i Doganës së Kosovës. Ai me 27 dhjetor të vitit 2018 ishte suspenduar në Doganën e Kosovës, pasi ndaj tij kishte filluar procedura penale nga ana e policisë për veprën ‘”Kanosje dhe ngasje nën ndikim të alkoolit”.

“Lidhur me pyetjen tuaj  ju njoftojmë se, zyrtari Ylldiry Bayram është  i suspenduar me vendimin e datës 27.12.2018 pasi qe ndaj zyrtarit ka filluar procedura penale nga Policia e Kosovës, për veprën  penale “Kanosje dhe ngasje nën ndikim te alkoolit”, thuhet në përgjigjen e Adriatik Stavileci për KALLXO.com

Tutje, Stavileci ka bërë të ditur se Bayram më 6 nëntor 2019 ishte edhe degraduar nga pozita që e mbante në Doganë.

“Ndërsa lidhur me shkeljen e Kodit të Kodit të Mirësjelljes, ndaj zyrtarit në fjalë ka shqiptuar masën disiplinore degradim nga pozita OD 2 , në pozitën OD1 duke përfshirë edhe transferim në një pozitë tjetër dhe pa të drejtë ri-konkurrimi për avancim në kohëzgjatje prej dy viteve”, thuhet në përgjigjen e Stavilecit.

Po ashtu, Dogana e ka konfirmuar se Bayram ka kërkuar për Pezullimin e përkohshëm të të drejtave dhe detyrave të punës, pasi që është emëruar zv/ministër.

“Me datë 19.06.2020 zyrtari Yldiray Bayram ka bërë kërkesë për Pezullimin e përkohshëm të të drejtave dhe detyrave nga marrëdhënia së punës, me rastin e emërimit si Zëvendës Ministër i Punëve të Brendshme, kërkesë kjo e cila nuk është shqyrtuar ende nga Drejtori i Përgjithshëm”, thuhet në fund të përgjigjes së Adriatik Stavilecit nga Dogana e Kosovës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Bayram përmes telefonit. Por në numrin e tij është përgjigjur një person tjetër i cili ka thënë se Bayram është në një mbledhje dhe pasi të lirohet do të lajmërohet. Pas dy ore pritjeje, ai nuk është lajmëruar dhe KALLXO.com prapë ka provuar ta kontaktojë, por Bayram nuk është përgjigjur.