Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zëvendësdrejtori i Trustit: Një e treta e qytetarëve që kanë kontribuar në Trust do të marrin deri në 50 euro nga tërheqja e 10-përqindëshit

Zëvendësdrejtori i Trustit, Agron Krasniqi, ka folur lidhur me numrin e llogarive në Trust dhe sa prej tyre fitojnë më shumë e sa më pak nga tërheqja e 10-përqindëshit.

Ai përballë Jeta Xharrës ka thënë se një e treta e gjithë llogarive përfitojnë deri në 50 euro kurse rreth 80 mijë persona deri në 100 euro.

“Deri më 30 nëntor në Trust janë 644 mijë llogari dhe në total kanë qenë 2 miliardë e 136 milionë euro. Prej tyre deri në 50 euro i marrin 235 mijë persona. Kurse 100 euro marrin 80 mijë persona. Prej shifrës së përgjithshme janë 320 mijë persona që punojnë në baza mujore,” ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tutje foli edhe për faktorët që kanë ndikuar që të ketë kaq shumë persona me pak përfitime nga 10-përqindëshi.

“Kjo shumë e vogël parash është pasojë e katër faktorëve: Pas luftës, papunësia ka qenë e madhe, një pjesë e madhe e popullatës nuk ka pasur gjasa të kontribuojë fare në Trust. Rrogat prej pasluftës deri tash kanë qenë të vogla, informaliteti i madh, pra punëtorë pa kontrata dhe norma e ultë e kontribuimit. Personat që kanë kaq pak mjete, pra që i kanë të kursyera deri në 500 euro dhe mund të marrin 50 euro kanë kontribuar për 10 deri në 12 muaj për këto 20 vite,” ka shtuar tutje Krasniqi.