Zëvendësdrejtori i RTK-së: Në televizionin publik janë avancuar persona me shkollë të mesme

Ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të RTK-së, Arsim Halili ka raportuar para anëtarëve të bordit për avancimet ndër vite në këtë medium.

Halili tha se proceset e avancimeve të cilat janë analizuar që nga viti 2015 janë përcjell me shkelje të mëdha.

Ai theksoi se ka pas raste që një person është avancuar tre herë brenda 9 muajsh në RTK.

Ndërsa shtoi se ka ndodhur që të avancohen edhe persona me shkollë të mesme.

“Kemi analizuar dhjetëra mostra që nga viti 2015, ajo çka kemi pa është se se procesi është përcjellë me shkelje të mëdha. Avancimet në shumicën e rasteve janë bërë në kundërshtim me rregulloren e RTK-së. Kemi evidentuar rreth 20 lloje të shkeljeve. Avancimet janë bërë pa planifikim dhe jo në fund të vitit siç parashihet në rregullore, por janë bërë sipas tekeve. Janë bërë avancime në kundërshtim me shkallën e shkollimit”, ka thënë U.D. i zëvendësdrejtorit të RTK-së, Arsim Halili.

“Janë avancuar persona me shkollë të mesme apo shkollë të lartë. Ka disa punëtorë që janë avancuar brenda 9 muajsh 3 herë ose disa pozita përnjëherë”, tha ai.

Halili rekomandoi të themelohet një komision që të trajtoi këto raste.

Bekim Sele, anëtar i bordit tha se të gjithë duhet të marrin përgjegjësi për këto shkelje.

“Duhet me ja nis nga lartë, e më pas poshtë. Nuk duhemi të merremi me troshat, por që ata që i kanë qit troshat. Punëtorët nuk kanë faj”, tha ai.

Ndërkaq Fatime Lumi, anëtare e bordit tha se ka pas raste kur nga pozita e korrespodentit është bërë redaktor.

KALLXO.com kishte raportuar se në RTK ishin punësuar familjarë të ish-presidentit Hashim Thaçi. Në RTK kishin qenë të angazhuar djali, reja dhe vëllai i resë së Gani Thaçit.

Po ashtu KALLXO.com kishte raportuar se si në RTK ishte punësuar dhëndri i ish-kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Sali Bashota. Liridon Konushefci, dhëndri i Bashotës apo burri i vajzës së tij ishte punësuar si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.

Radio Televizioni i Kosovës së fundi ka hapur konkurs për Drejtor të Përgjithshëm të këtij institucioni.

RTK hap konkurs për drejtor të përgjithshëm