Foto: Adi Krasta/Facebook
Zëvendësdrejtori i RTK-së, Adi Krasta flet për takimin dhe raportet me Dejona Mihalin e LVV-së
Zëvendësdrejtori i RTK-së, Adi Krasta, ka folur për raportin me zyrtaren e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali pas publikimit të një fotografie në rrjetet sociale ku ata shihen duke biseduar.
“Raporti im me zonjën Mihali, është një raport që e kam shumë të qartë ne çfarë dimensione shkon. Është një personazh shumë i njohur në Kosovë. Pjesë e një lëvizje politike që është aktualisht në pushtet. Nuk ka asnjë lidhje, kafeja, para dhe mbas urinimit që zakonisht bëhet atje (në lokalin ku është shkrepur fotografia) me kuriozitetin e njerëzve në Kosovë në raport me këtë ngjarje” – ka thënë Krasta në RTK.
Ndërsa, ka thënë se në vendin ku është takuar me Mihalin (një vend për shitje derivatesh në autostradën Kosovë – Shqipëri) takohet edhe me shumë njerëz.
Ai ka thënë se aty është takuar edhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila.
“Aty në fakt unë bëj shumë fotografi dhe takoj shumë njerëz, para disa kohësh kam takuar zonjën Kusari dhe kemi folur për RTK-në, të ardhmen e RTK-së, të kaluarën e RTK-së. Unë jam shumë i lumtur që njerëzit takohen në atë pikë takimi e bëjnë foto”- është shprehur ai.
Krasta, ka folur për publikimin e raportit të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare si media të ndikuara nga Serbia, duke thënë se është i kënaqur që në Kosovë po bëhet një debat për standardet gazetareske.
“Jam shumë i kënaqur që në Kosovë po bëhet një debat kaq pasionant për standardet gazetareske. Jam shumë i lumtur që jo vetëm RTK do të shoh standardet por edhe institucionet private do të mësojnë nga kjo situatë për jetën gazetareske të vendit”- u shpreh ai.
Ndërsa, ka thënë se për të nuk është primare ndëshkimi i personave brenda RTK-së lidhur me ketë çështje.
Krasta për artikullin e publikuar në RTK: Për ne nuk është primare ndëshkimi i njerëzve