Zëvendës Guvernatori i BQK-së flet se pse iu revokuan licencat dy institucioneve mikrofinanciare

Në dhjetor të vitit 2019 Banka Qendrore e Kosovës kishte njoftuar se kishte mbyllur dy institucione mikrofinanciare “Iute Credit” dhe “Monego”. 

Në atë kohë, Guvernatori Fehmi Mehmeti kishte thënë se në bazë të kompetencave të BQK-së, ishte vendosur që t`u revokohej regjistrimi dy institucioneve mikrofinanciare pasi që sipas tij janë gjetur disa shkelje që janë bërë gjatë disa viteve duke devijuar nga plani i biznesit. 

“Devijimi më shqetësues ka të bëjë me normën e interesit që kanë rezultu më të larta nga ajo që e kanë paraparë në plan. Normat janë jashtë çdo standardi”, kishte bërë të ditur guvernatori i BQK-së.

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli gjatë intervistës së dhënë për #KallxoPernime dha disa detaje në lidhje me ekzaminimet që kanë kryer për këto dy institucione mikrovinanviare për të cilat tha se pavarësisht se ishin pajtuar me gjetjet e BQK-së, përsëri nuk kishin arritur që të përmirësonin gjendjen. 

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, në shkurt të vitit 2020 e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhej në njoftimin e Iute Credit në atë kohë.

Në lidhje me këtë rast para se të revokoheshin licencat për këto dy institucione mikrofinanciare Jeta Xharra kërkoi sqarime nga ana e Zëvendës Guvernatorit të BQK-së nëse kishin pranuar një shkresë nga ana e Agjencisë Kosovare për Intelegjencë se këto dy institucione mund të paraqesin rrezik të sigurisë kombëtare në bazë të kapitalit të tyre. 

 “Jo, por megjithatë unë nuk kam qenë në BQK në atë kohë, por me aq sa di nuk ka pasur ndonjë letër. Mund të jetë e vërtetë, por nuk e di”, thotë Havolli. 

Deri sa tregon se nuk është në dijeni për një letër nga AKI, Havolli është i bindur se rasti do të fitohet në favor të Kosovës. 

“Dëmi nuk duhet me u pagu sepse fitohet rasti prej Kosovës, është e sigurtë. Arsyeja e revokimit të licencës nuk është letra e AKI-së por shkeljet që i kanë bërë në raport me kushtet e licencimit dhe në raport me ligjin që rregullon fushën e sektorit bankar dhe mikrofinanciar dhe institucionet financiare jo-bankare ndërsa pjesa tjetër nuk ka qenë pjesë esenciale e revokimit të licencës”, shton tutje Havolli.

Tutje Havolli shpjegon procesin se si kishin ardhur në përfundim që “Iute Credit” dhe “Monego”-s t`u revokoheshin licencat.

“Në fillim të vitit 2019 në ekzaminim kemi gjetë disa shkelje, njëra nga shkeljet është që këto dy institucione kur kanë aplikuar në BQK me plan të biznesit kanë paraparë një nivel të caktuar për normat e interesit për kreditë e tyre afatshkurtëra por në realitet kanë qenë duke e bërë një aplikim të normave të interesit që ka shku deri në 130 përqind dhe ka raste në 1800 përqind interes ndaj klientëve. Po ashtu kemi gjetë që i kanë mashtruar klientët, përshembull ju kanë thanë norma e interesit është 30 përqind ndërsa në realitet norma e interesit ka qenë 70 përqind sepse nuk e kanë zbatuar rregulloren e BQK-së se si të kalkulohet norma e interesit edhe disa gjetje tjera të kësaj natyre”, shpjegon Havolli deri sa vazhdon të tregoj se raportet janë të mbyllura për gjetjet ndaj tyre sepse ashtu parasheh Ligji.

“Ligji më thotë me i mbajtë konfidenciale”, arsyetohet Havolli deri sa Jeta Xharra kërkon që raportet e inspektimeve dhe ekzaminimeve në këto dy institucione mikrofinanciare të jenë transparente. 

Tutje Havolli tregon se në rast se BQK vëren ndonjë parregullësi gjatë raporteve statistikore të institucioneve financiare të bëjë ekzaminime shtesë te to.

“Është praktikë e BQK që nëse beson që institucioni sepse nuk ka nevojë vetëm në nivel të besimit por gjatë raportimit të institucionit dhe të dhanat statistikore nëse vëren ndonjë problem shkon edhe e bën një ri-ekzaminim të një institucioni dhe e sheh nëse është duke zbatuar ato urdhëra dhe vendimet e Bankës Qendrore. Nëse BQK lëshon një urdhër për një institucion financiar ai është obligim dhe e humb të qenurin obligim vetëm nëse institucioni e sfidon brenda afateve ligjore në gjykatë”, vazhdon të tregoj Havolli.

Tutje ai përmend se për dy institucionet kishin lëshuar një urdhër dhe të njëjtat ishin pajtuar me gjetjet e Bankës Qendrore të Kosovës por që nuk i kishin rregulluar problemet.

“E kemi lëshuar urdhërin, e ka kthy institucionet të dyja kanë thënë po pajtohemi me gjetjet e BQK-së kemi tejkalu projeksionet e planit të biznesit dhe do të i zbatojmë të gjitha. Pas një kohe shkojmë e ekzaminojmë dhe i gjejmë gjetjet e njëjta, dhe e kemi analizu dhe kemi vendos me revoku licencën. Zakonisht ne komunkojmë me dhjetëra institucione njëra nga to kanë qenë edhe institucionet e sigurisë dhe ne e kemi një paragraf aty dhe nuk është element që është përdor në marrjen e licencës”, tregon Havolli.

Ai përsërit se nuk ka të drejtë të lexoj këto raporte për shkak se janë konfidenciale dhe me Ligj ka të drejtë të mos jap detaje në lidhje me këtë çështje.

KALLXO.com pati raportuar për revokimin e licencave për “Iute Credit” dhe “Monego” në vitin 2019.

BQK mbyll ‘Monego’-n dhe ‘Iute Credit’-in