Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, Foto: KALLXO.com

Zeqiri përballë tërheqjes së vendimit për shkarkim të Gordana Mihajloviqit, shkarkimit të vajzës dhe punës në krye të Zubin Potokut

Izmir Zeqiri u zgjodh kryetar i Zubin Potokut në Prill të vitit 2023, në Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunat me shumicë serbe në Veri të vendit, pas dorëheqjes së Kryetarëve serbë.

Ndonëse, mori pushtetin në kohë të tensioneve e në Zgjedhje të jashtëzakonshme, Izmir Zeqiri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë ka një vit e gjysmë që udhëheq Komunën e Zubin Potokut.

Për një vjet e gjysmë sa është në krye të Komunës, Zeqiri para Jeta Xharrës tregoi se si shpenzoi Buxhetin Komunal dhe cilat janë Projektet e tjera, të cilat priten të realizohen deri në fund të mandatit të tij.

“Ajo çka kemi bërë deri më tani është asfaltimi i rrugëve në fshatin Çabër, lagjja Ukaj – vlera 35 mijë euro; asfaltimi i rrugës, lagja Nimanaj – vlera e parashikuar 35 mijë euro. Ndërtimi i parqeve në fshatin Çabër – vlera 50 mijë euro; parku në Zubin Potok – 50 mijë euro; renovimi i objektit të Komunës së Zubin Potokut – vlera e parashikuar 58 mijë euro. Ndërtimin e Parkingut nëntokësor në Zubin Potok nuk mujmë me e realizu, sepse janë disa specifika për këtë.” – tregon Zeqiri për Projektet, të cilat janë planifikuar të realizohen.

Ai shton se mbi 25 mijë euro kanë investuar për pajisje për Kabinete në shkolla. Kryesisht, për Kabinetet e Biologjisë, Kimisë, Matematikës dhe Fizikës.

Gjithashtu, Zeqiri foli për dy rrugë që vlera e parashikuar për to ishte 200 mijë euro.

“Disa rrugë të planifikuara prej Buxhetit të vitit të kaluar nuk do të mundemi që t’i realizojmë. Këto dy rrugë i kemi marrë nga Rekomandimet edhe të MPB, sepse viti i kaluar ishte një vit me plot tensione dhe nuk e kisha bashkëpunimin e duhur me komunitetin shumicë, për t’i parashikuar këto Projekte – ku duhet dhe ku mund t’i realizojmë. Rekomandimet i kemi marrë prej Ministrisë dhe premtimet me bashkëfinancim që t’i kryejmë këto, sepse 9 kilometra rrugë me 100 mijë euro nuk mund të bëjmë asgjë.” – thotë Zeqiri.

Problemi i Parkingut nëntokësor – sipas Zeqirit – është çështje e problemeve pronësore, prandaj – sipas tij – nuk mund ta realizojnë këtë Projekt.

“Paratë e Projekteve që nuk janë realizuar do të kthehen. Faji mund të mbetet jetim, sepse ne kemi pritë që të jemi në harmonizim me Ministrinë për investime. Mbetet me u pa. Mund të barten edhe në vitin e ardhshëm.” – shton ai.

Ai foli edhe për investimet në fshatrat dhe vendbanimet me qytetarë serbë.

“Vlera e një Parku, që është në përfundim e sipër e është shumë i mirëpritur nga komuniteti, është në Zubin Potok jo larg Qendrës, ka kushtu 50 mijë euro. E kemi edhe renovimin e Komunës, që jemi duke e bërë. I takon komunitetit shumicë.” – tregon tutje Zeqiri.

Sipas Zeqirit, vitin e kaluar nuk kanë pasur asnjë Projekt-ide për ta realizuar duke u bazuar në ngjarjet që janë shënuar.

“Kemi Kërkesa dhe do t’i realizojmë. Nuk kemi mujtë me kalu Buxhetin. Në bazë të Planit buxhetor, diku konsiderojmë 450 mijë-500 mijë për komunitetin shumicë serb. Buxheti nuk po kalon. Kemi prapa shumë Buxhet për komunitetin shumicë dhe dojnë ma shumë Buxhet për pakica, sepse vitin e kaluar kemi qenë edhe të anashkaluar. Mirëpo, problemi është qaty pse nuk është miratu.” – thotë Zeqiri.

Në Zubin Potok, 80% e qytetarëve janë të komunitetit serb, ndërsa 20% shqiptarë – sipas kryetarit Izmir Zeqiri.

“Në Çabër vite të tëra kanë kaluar për të realizuar një Projekt të rrugëve. Nuk ka pasur. Investim bajagi i duhur. Unë vij nga Çabra. Kemi pasë dhe kemi gjithë përfaqësues në Asamble, që na kanë taku si përqindje. Mirëpo, kemi pas investime, por jo të duhura.” – tha Zeqiri.

Ai, madje, përmendi edhe Projektet që janë të nevojshme në Zubin Potok.

“Nëse kalon Buxheti, tri Projektet kryesore nuk do t’i kisha veçuar – që janë tri kryesore – sepse të gjitha që janë planifikuar janë tejet të nevojshme. Kemi pasur Kërkesa të qytetarëve nga vendet ku kanë ardhë dhe natyrisht kanë kërku shtigje, rrugë. Kemi fshatra bukur të gjera dhe një pjesë e madhe janë përqendruar te ofrimi i infrastrukrurës rrugore, kanalizim e tjetër.” – tha Zeqiri.

 Vajzën e shkarkoi nga posti i Drejtoreshës, Gordana Mihajloviqin jo

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në debatin “Jeta në Komunë” u ballafaqua me punësimet familjare në Komunë, përkatësisht vajzën e tij si Drejtoreshë dhe performancën e Drejtorëve të emëruar nga ai.

“Unë më së voni e kam zgjedhë Kabinetin e Kryetarit, për shkaqe sepse unë thirrjet edhe gjatë fushatës, edhe për një kohë të gjatë, kam bërë thirrje publike. Sepse për mua si Kabinet kishte qenë më mirë ta kem Kabinetin 80% prej akterëve e profesionistëve serbë, kishte me qenë shumë më mirë për mua, sepse kisha vështërësi. Kam kërkuar edhe nga subjektet tjera dhe kanë hezituar.” – tha ai.

“Unë vajzën nuk e kam punësu, e kanë punësu Komisioni. Tani punon si zyrtare në Arkivë. Ka qenë Drejtoreshë, e kam shkarku. Ajo e ka kry punën stafi më i besueshëm.” – tha Zeqiri.

E në këtë çështje, Zeqiri u pyet se si arriti që të shkarkojë nga pozita e Drejtoreshës vajzën e tij e ende ka në punë Drejtoreshën e Shëndetësisë, e cila është pronare e një barnatorejeje ilegale, që ishte cak i një bastisje në vitin 2021.

Madje, Gordana Mihajloviq ka qenë edhe partnere, e cila ka bashkëjetuar me Besim Zeqirin i njohur si “Kaça” – person i dyshuar, i arratisur disa herë, madje edhe i arrestuar për kontrabandë në Veri të vendit. Si dhe, i njohur si person i afërt me grupet e Veriut.

“Qysh e shkarkove çikën, e Gordanën jo?” – e pyeti Jeta Xharra Kryetarin Zeqiri.

“E shkarkova çikën për shkak të presioneve, jo e ke marrë vajzën, jo s’e ke marrë vajzën.” – ndërsa Xharra sërish e pyet se a ka pasur presion për shkarkim edhe për Drejtoreshën e Shëndetësisë.

“Kam edhe për Gordanën. Por, ma lehtë mundem me marr vendim te një staf që e kam më të afërt se sa diku tjetër. Nuk e kam siguru unë, e ka siguru Komisioni vlerësues, që nuk e njoh Komisionin. Komisioni është emëruar nga Komuna e Vushtrrisë. Kemi kërku nga ata që ta udhëheqin Komisionin.” – shtoi ai.

Tutje, i njëjti nisi të sqarojë se ka pasur Konkurse të hapura e që në të njëjtat kanë aplikuar familjarë të tij.

“Konkurset kanë qenë të hapura, për gjithsecilin kanë vlejtë. Nëse thirremi në kushëri, na krejt Çabra jemi kushëri. Nuk është numër i caktuar që kanë me hy qekaq. Për ato vende që janë hapë, kanë hy ata që kanë konkuru. Edhe në këtë pozitë ku jam, me siguri do të përpiqem të krijoj sa ma shumë vende pune për Çabrën.” – thotë Zeqiri.

Sipas tij, nuk kanë persona të tjerë që mund të punësojnë.

“Po ne nuk kemi të tjerë. Nuk kemi të tjerë. Kënd me shti dikënd që vjen prej Prishtinës. Sa i përket ne, që jemi si komunitet në Çabër, jemi 3 mahalla prej tre vllaznive. Kado që sillesh janë kushërillak.” – shton tutje Kryetari Zeqiri.

Pse e tërhoqi Izmir Zeqiri vendimin për shkarkimin e Gordana Mihajloviqit?

Më 08.11.2024, KALLXO.com zbardhi se si Ministri i Qeverisë Kurti 2, Nenad Rashiq kishte rekomanduar për një pozicion udhëheqës gruan që njihet si ish-partnerja e njërit prej të kërkuarve për kontrabandë, Besim Zeqirit – i njohur me nofkën “Kaça”; si dhe, pronarja e barnatores ilegale e cila ishte bastisur në vitin 2021. Ndërsa, gjatë bastisjes u lënduan e plagosën shtatë zyrtarë policorë.

Në debatin “Jeta në Komunë”, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se kishte thirrur në takim Gordana Mihajloviqin pas emërimit dhe kishte vendosur ta shkarkonte, por që më pas Ministri Rashiq i kishte kërkuar që t’ia linte në dorë atij çështjen e Drejtoreshës.

“Jo, nuk jam duke e shkarkuar tani në këtë rrethanë. Por, atëherë më ka thirrë Ministri Rashiq më ka thënë ‘të lutem, Kryetar, nëse nuk ke marrë ndonjë vendim deri tash, lema këtë çështje mua’. Kështu Ministri Rashiq më ka thënë.” – shpjegoi Izmir Zeqiri në debat.

Ai, madje, shpjegoi nga fillimi se si u emërua në pozitë udhëheqëse ish-partnerja e “Kaçës”.

“Gordana Mihajloviq është Drejtoreshë e Shëndetësisë në Kabinetin tim. Është banore e Zubin Potokut. Është e martuar për shqiptar. Po, për Kaçën!? Vonë e kam marrë vesh. Ne secili që vjen e emërojmë, e sjellë një letër që s’është i dënuar. Dhe, fillimisht nuk e kemi ditë që Gordana Mihajloviq kush është. S’e kam ditë, epo nuk e kam ditë, sepse komunikonim tek përmes një këshilltari. Në Dhjetor të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, e kam pasur një këshilltar të komunitetit serb. Jo, nuk më kanë treguar dhe përmes tyre e linjës së Ministrit Rashiq, ne e kemi shtri bashkëpunimin dhe kemi ardh ku kemi ardh.” – tregon Zeqiri.

Vetëm pak muaj pas emërimit, Zeqiri thotë se mori vesh kush është Gordana Mihajloviq.

“Unë, pas dy-tre muajsh kur kam kuptuar, që Gordana Mihajloviq është në një lidhje me Kaçën. Këtë s’e njoh as sot me ma qitë përpara, nuk e njoh. Është i arrestuar dhe kur kam kuptuar se është në lidhje me të, e kam ftu për me shkarku. A është fati apo fatkeqësi e saj që momentalisht nuk isha afër protokollit kur biseduam, por në një formë vendimi ishte i imi i shkarkimit që do t’i jepej. E pata thirrë, e pata ftu për këtë. Sa i përket bashkëpunimit konsideroj që është mirë dhe natyrisht ka ndihmuar.” – shpjegon Kryetari, derisa përmend faktin që, pas këtij takimi, kishte marrë një telefonatë.

Telefonata ishte nga Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq – ky i fundit i emëruar si Ministër nga Kryeministri Albin Kurti në vitin 2022.

“Jo, nuk jam duke e shkarkuar tani në këtë rrethanë. Por, atëherë më ka thirrë Ministri Rashiq, më ka thënë ‘të lutem, Kryetar, nëse nuk ke marrë ndonjë vendim deri tash, lema këtë çështje mua’. Kështu Ministri Rashiq më ka thënë.” – tregoi Zeqiri.

Ai u pyet nga Jeta Xharra nëse Rashiq vendos për punët komunale!? Ndërsa, Zeqiri ia kthen se për këtë rast nga askush prej Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilën bën pjesë, nuk ishte thirrur.

“Jo, nuk e kam bos Rashiqin, por e respektoj si Ministër. Për këtë çështje, as bisedë s’e kemi pasë me kërkon të PDK-së. As me të (Memli Krasniqin). Ata nuk e di sa janë të njoftuar me këto gjëra. Por, kjo është gjendja. D.m.th., Gordanën e kam Drejtoreshë me preferencë dhe Kërkesë të Ministrit Rashiq.” – shtoi ai.

Sa i përket të kaluarës së Gordana Mihajloviqit, Zeqiri thotë se kjo është çështje që duhet të trajtohet nga Sistemi i Sigurisë dhe Drejtësisë.

“Ajo është çështje e Policisë, e organeve të hetuesisë. Jo, jo, te unë edhe me dashtë nuk ka mundësi. Është Drejtoreshë, por nuk mund të kalojë diçka pa e ditë edhe unë. Dhe, natyrisht edhe mekanizmi jonë që e kemi një bashkëpunim, është e pamundur edhe me dashtë.” – tha ai.

“Nuk e di sa barnatore i ka pasë. Kom dëgju, masi është spekulu, jo se është në hetime, por është e dyshimtë. Unë kam problem, por ma shumë e kam problem ma tepër që unë duhet… nuk tutna me shkarku. Por, sa i përket pozitës që është, natyrisht është organizatore edhe mirë. Nuk e di a e njohin kontrabandistat. Po nuk e di a e dinë të gjithë.” – shton tutje Zeqiri.

Izmir Zeqiri përballë gjetjeve të evidentuara nga ZKA dhe punësimet familjare

Ndonëse i pari i Zubin Potokut pranoi vetë së në Komunë janë të punësuar kushërinjtë e tij. Raporti i Auditorit ka theksuar se nuk evidentohen punëtorët, që dalin në vendet e punës.

Jeta Xharra sfidon Kryetarin duke e pyetur se “pse i ke kushëri, marrin rroga, munden mos me ardhë në punë se janë të tut”.

Arsyetimi i Kryetarit ishte që këto shkelje janë evidentuar vitin e kaluar, teksa – sipas tij – është filluar të merren masa për këtë ndodhi.

“Janë marrë masa dhe do të merren masa. Siç mujtët me pa, jemi në procesin e renovimit qe një kohë. Shumë shpejt do të vendosen se ku do të evidentohet ardhja në punë e dalja prej punës, në mënyrë elektronike dhe natyrisht se jemi tu punu në këto drejtime. Veç, mos të marrim atë se e paske kushërillakun, sepse krejt Çabra janë kushërinj.” – tha Zeqiri.

Kryetari tha se punësimi është në dorën e Komisionit dhe jo në dorën e tij.

“Unë Komisionin, që e ka vlerësu, nuk e njoh asnjë. Dhe, natyrisht, janë Komisonet që do ta kryejnë punën e tyre pa kurrfarë ndikimi. A kushërinj, çika e mixhës… na jemi të tillë si Çabër dhe, natyrisht që, mund të ketë raste të tilla – sa i përket Komunës së Zubin Potokut. Sa i përket punësimit, nuk e kanë përfill Çabrën as Mitrovica, as Prishtina, as kërkush. Edhe na mos ta përfillim, normalisht nëse ka hapësisa po them, edhe duke i respektu të gjitha kodet qysh na takon – atëherë veç me u çu me ik prej këtuhi.” – potencoi Kryetari.

Tutje, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar se në Komunën e Zubin Potokut nuk ka një Rregullore për ndarjen e subvencioneve. Sipas Raportit, janë ndarë subvencione prej 73 deri në 350 euro, duke mos pasur kurrfarë Rregulloreje për subvencione – siç e kërkon Ligji.

“Me vendim të Ministrit, faleminderit prej Ministrit Murati, vitin e kaluar kanë marrë subvencione 730 banorë të Komunës së Zubin Potokut.” – u përgjigj Kryetari në pyetjen se kush i ka marrë këto subvencione.

Mospajisjen me Rregulloren përkatëse, Zyrtari i lartë për Buxhet dhe Financa, Valon Veseli e arsyeton me faktin se kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal ta dinë se a ekziston apo jo një Rregullore. Mirëpo, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

“Komuna jep subvencione. E vërtetë që i ndan dhe duhet me kanë një Rregullore për ndarjen e subvencioneve në Komunën e Zubin Potokut, në këtë rast. Mirëpo, ne si Ekzekutiv kemi kërku nga Kuvendi Komunal i Komunës së Zubin Potokut se a ekziston ndonjë Rregullore komunale për ndarjen e subvencioneve, nuk kemi marrë përgjigje prej Kuvendit Komunal. Kështu që, Kryetari ka vendos me vendim të vetin.” – tha Veseli.

E, sipas Veselit, vendimin, se kujt do t’i ndahen këto subvencione, e ka marrë vetë Kryetari i Komunës.

“Qëllimi jonë ka qenë ta vërtetojmë se a ekziston një Rregullore apo nuk ekziston një Rregullore. Është e vertetë që Ekzekutivi duhet me dërgu Rregulloren në Kuvendin Komunal për miratim, se është Kryetari – në bazë të përgjegjësive të veta – që duhet me propozu. Por, Kërkesa prej Kryetarit të Komunës ndaj Kuvendit Komunal ka qenë që a ekziston një Rregullore, a nuk ekziston. Nuk kemi naj përgjigje. Kështu që, ka vendos Kryetari me vendim të vetin ta bëjë shpëndarjen e subvencioneve.” – përfundoi ai.

Izmit Zeqiri u bën thirrje qytetarëve të Zubin Potokut të konkurrojnë për vende të punës, në momentin që hapen Konkurset. Po ashtu, ai potencon se është i hapur për Kërkesat e qytetarëve dhe ofrimin e subvencioneve për ta.

“Do t’iu bëja thirrje qytetarërve të Zubin Potokut se në momentet që hapen Konkurse, le të vijnë të konkurrojnë. Natyrisht, ka hapësira për të punësuar në Administratën e Komunës së Zubin Potokut. Tjetër, të gjitha vështirësitë që ata preokupohen, ne kemi Kërkesa individuale. Kohë pas kohe edhe ndonjë grupacion që kanë nevojë për subvencione në bujqësi dhe në blegtori. Jemi të hapur, çdo ditë për t’i parë dhe për t’i adresuar Kërkesat e tyre.” – përfundon Kryetari i Komunës së Zubin Potokut.