Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zenun Elezaj tregon se me cilat parti do të bëjë koalicion

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Klinës, i ftuar në “Debat Përnime” ka treguar për koalicionet e mundshme me partitë opozitare.

Elezaj ka thënë në debat se tashmë u ka bërë ftesë zyrtare Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje meqë me to ka qeverisur edhe mandatin e kaluar.

“Aleanca ka rritje substanciale në këto zgjedhje. Po presim edhe për asamblistin e 12 pas shpërndarjes së votave. Unë u kam bërë thirrje Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes dhe po presim përgjigje. Unë kam dëshirë të kem mbështetje në Asamble sepse po ka edhe bllokada të projekteve. Unë kam shumë dëshirë të kem koalicion me LDK dhe LVV. Mund të ndodhë që këto dy-tre ditë të kemi një përgjigje sepse partitë janë duke pritur përgjigje nga qendra”, ka thënë Elezaj.

Në “Debat Përnime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në komunën e Klinës.

Në debat pjesëmarrës është vetëm kandidati Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Esat Raci, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por i njëjti edhe pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen është tërhequr nga debati me arsyetimin se ka punë të tjera dhe nuk e di nëse mund të marrë pjesë.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për raundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, Zenun Elezaj ka marrë 43,33 për qind të votave, kurse kandidati Esat Raci nga PDK, ka siguruar 27,42 për qind.