Zenun Elezaj e 'rehaton' sërish drejtorin që iu arrestua si i dyshuar për aferë korruptive

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj e ka emëruar drejtor të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marlekun.

Lorenc Markelu ka qenë në mesin e zyrtarëve të arrestuar në korrik të këtij viti në një aksion të Prokurorisë së Pejës në rajonin e Dukagjinit.

Asokohe, Markelu ishte drejtor i Urbanizmit. Ai bashkë me disa tjerë të arrestuar ishin të dyshuar rreth keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që kanë të bëjnë me ndërtime pa leje.

Rasti ndaj Markelut është ende në hetime. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja Lumturije Vuçetaj.

“Po është në fazën e hetimeve”, tha prokurorja.

Në anën tjetër, kryetari Zenun Elezaj në kohën e balotazhit në emisionin “KALLXO Përnime” ishte pyetur nëse Lorenc Marleku do të vazhdojë të jetë drejtor në mandatin e tij të ardhshëm.

“Nuk e besoj”, ishte përgjigjur Elezaj duke qeshur.

Përderisa me marrjen e një mandati të ri në udhëheqjen e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj njoftoi më 22 dhjetor se Lorenc Marlekun e ka emëruar drejtor të Bujqësisë.

“Lorenci ka përvojë të gjatë në menaxhim. Ai ka qenë edhe anëtar i kuvendit të komunës për një mandat dhe drejtor i Urbanizmit në mandatin e kaluar. Lorenci nga sot do ta udhëheqë Drejtorinë e Bujqësisë dhe do ta ketë përkrahjen time të plotë në realizimin e projekte të nevojshme për fermerët”, ka shkruar Elezaj në rrjetin social “Facebook”.

Arrestohet drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës Lorenc Marleku