Zeneli: Mos i besoni çdo përmbajtjeje që shihni në rrjete sociale, verifikojeni lajmet

Ligjëruesi i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka thënë se mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga lajmet e rreme në kohë pandemie është që të dyshojmë çdoherë në lajmet që lexojmë.

Ai ka këshilluar që çdo lajm para se të shpërndahet në rrjete sociale, tek masa më e gjerë, të verifikohet nga vetë shpërndarësi i tij. Sipas Zenelit, duke i shpërndarë lajmet e rreme ne mund të përfundojmë që të “bëheni pa dashje, sikur bartës i virusit, bartës edhe i infodemisë”.

Infodemia u përdor së fundmi si term i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ndaj përhapjes së lajmeve të rreme pas shpalljes së COVID-19 si pandemi.

Sipas ligjëruesit të gazetarisë, lajmet e rreme bëhen për arsye të përfitimit.

“Lajmet e rreme janë pjesë e keq funksioneve që kanë rrjetet sociale përgjithësisht. Lajmet e rreme krijohen me idenë që të përdorin publikun, çoftë për të arrit qarkullimin  në rrjete sociale çoftë për klikueshmëri ose çoftë për të përfituar financiarisht prej tyre përmes klikimeve. Çfarë është me rëndësi të themi, është se shoqëria kosovare deri më tani, nëse mund të shohim sesi kanë reaguar ndaj lajmeve të rreme mund të themi lirisht se shoqëria është e papërgatitur për këtë lloj të komunikimit”, ka thënë ai në një intervistë për KALLXO.com.

Sipas tij, në veçanti në kohë pandemie, përdorimi i emocioneve për të krijuar lajme, mund të përdoret më së shpeshti.

“Ideja e parë është që të dyshoni në secilën përmbajtje që e lexoni sepse jo gjithçka që publikohet është e vërtetë dhe problem themelor janë publikimet e rrjeteve sociale. Shumica e lajmeve të rreme prodhohet nëpër rrjete sociale në Facebook apo Instagram,  me idenë që të marrin vëmendjen e publikut”, thotë ai.

“Nëse e kontekstaulizojmë te rasti i pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përdorur një term, bashkë me pandeminë e ka përdorur infodeminë ose shpërndarjen e në numër të madh të lajmeve të rreme. Kategoria kryesore që përdoret në këto raste është përdorimi i emocioneve të njerëzve sepse në kohë të pandemisë siç jemi tani, përdorimi I emocioneve siç është frika, është element i rëndësishëm për të shpërndarë lajme të rreme”, vlerëson ligjëruesi i gazetarisë në UP.

Ai ka përmendur edhe tri këshillat kryesore para se t’i besohet një lajmi të publikuar në mediet online apo në rrjete sociale.

“Këshilla e parë, dyshoni në përmbajtjen që lexoni, pastaj shiheni a ka argumente dhe shihni burimet ku referohet teksti. Kujdes çfarë shpërndani në rrejte sociale, sepse ne rrezikojmë që edhe një pjesë tjetër e publikut të bëhet pre e lajmeve të rreme nëse ne nuk i kemi verifiku paraprakisht, kujdes çfarë shpërndani sepse ju mund të bëheni pa dashje, sikur bartës i virusit, bartës edhe i infodemisë ose lajmeve të rreme”, ka thënë ai.

Më poshtë më ta ndiqni intervistën e plotë më Alban Zeneli, ligjërues i gazetarisë në UP:

Luftimi i lajmeve të rreme në kohë pandemieAlban Zeneli – Ligjërues në UPDriart Elshani – Ekspert i kibernetikës#FakeNews

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 8 avril 2020

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).