Zemaj: Vetëdijesimi i qytetarëve ka ndikuar në uljen e rasteve me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka përshëndetur fillimin e vitit të ri shkollor nesër, duke kërkuar që të ketë bashkëpunim ndërmjet prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve që të menaxhohet më lehtë situata me pandeminë.

Zemaj në një konferencë të përbashkët për media më ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani si dhe akterë të tjerë, tha se respektimi i masave ka ndikuar në uljen e rasteve me COVID-19 në Kosovë.

“Masat e ndërmarra janë konform strategjisë, protokolleve dhe udhëzuesve bashkërisht me IKSHPK-në. Në kuadër të përgatitjeve në javët në vijim po ashtu edhe rritja e kapaciteteve me inspektorë sanitarë do të jetë në kuadër të punës. Lufta jonë e përbashkët ka sjellë rezultatet e mira, por këto rezultate nuk duhet të na lejojnë të shkojmë përtej masave. Është vlerësim se rënia e numrit të të infektuarve është për shkak të vetëdijesimit”, theksoi ai.

Nesër është paraparë të fillojë mësimi për të gjitha shkollat e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, ka prezantuar vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili do të organizohet në dy faza.

Ndërkohë, faza e dytë, fillon më 21 shtator, në të cilën përfshihen klasat, 7, 8, 9, 11 dhe 12, sipas skenarit B, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Ndërsa deri më tani në Kosovë me COVID-19 janë infektuar 14 mijë e 496 persona, nga ta janë shëruar 11 mijë e 150, ndërsa kanë vdekur 586 persona.

Ministri i Arsimit: Të gjithë pjesëmarrësit në shkollë janë të obliguar të bartin maskë