Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj: Vaksinat për Kosovën do të prodhohen më 17 mars, transporti çështje ditësh

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se nga nesër do të fillojnë përgatitjet për qendrën e vaksinimit, e cila do të jetë në sallën “1 Tetori”.

“Ne nesër do të fillojmë përgatitjen e qendrës së vaksinimit që do të jetë salla “1 Tetori”. Të shohim, ju kemi afruar datës për ardhjen e kontingjentit të parë të vaksinave”, tha Zemaj në “Klan Kosova”.

Ai ka shtuar se më 17 mars do të prodhohen vaksinat për Kosovën dhe transporti do të jetë çështje ditësh.

“Më datën 17 del kontingjenti i prodhuar për Kosovën. Është më pas çështje ditësh transporti dhe gjithçka do të jetë e gatshme për arritjen e 33 mijë e 600 dozave të para, do të vijnë edhe 66 mijë e 900 të tjerat”, shtoi Zemaj më tej.

Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka filluar vaksinimin kundër COVID-19.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.