Kandidati i LDK-së Armend Zemaj. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Zemaj tregon pse LDK-ja zgjodhi bojkotimin e RTK-së

Kandidatët për deputetë nga LDK-ja, në emisionin “Debat Përnime”, më 03.02.2025, kanë folur për sfidat e Radiotelevizionit të Kosovës, që ata pretendojnë se ky medium publik i ka pasur gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Armend Zemaj ka thënë se RTK do të mbahet në mend për dy gjëra.

“E para për keqpërdorimin e AKI-së për të atakuar mediat e pavarura për ta kthyer sistemin monist në Kosovë, ku pushteti i ndjek këta njerëz, dhe e dyta është seancën kuvendore e ka ndërprerë për të dëgjuar një ngjarje të kryeministrit”- tha ai.

I pyetur nga Kryeredaktori i KALLXO.com Kreshnik Gashi se si do ta çkapni RTK-në, ai tha se “veprimet  e tyre kanë filluar qysh para tri vite duke zgjedhur bojkotimin e mediumit publik”.

“Ne këtë veprim e kemi ndërmarr para tri vitesh kur e kemi bojkotu RTK-në, dhe nuk ka qenë e lehtë për LDK-në. Por kemi dashtë me i tregu edhe qytetarëve që instrumenti opozitar, që nuk mundesh me mbyt zërin e opozitës edhe zërin e qytetarëve duke përdorur mediumin publik. Për këtë arsye ne nuk kemi marr pjesë”- tha ai.

Vendosja e “një militanti”, sipas Zemajt, në krye “të institucionit jo vetëm që e ka dëmtuar RTK-në, por ka qenë tendencë që me e dëmtuar demokracinë”.

Zemaj u zotua se LDK nuk do t’i fal rastet e keqpërdorimit të parasë publike.

“Mënyra se si e kanë shpenzuar paranë publike edhe për manifestime, që janë edhe raporte kuvendore, për besë nuk do të falen nga LDK-ja, dhe ato para siç po ju themi shpeshherë, jo si pjesë e fushatës, por do të kthehen cent më cent. E këta kanë tentuar cep më cep me i kap këto agjenci dhe borde.”- tha ai.

Për veprime joligjore, ai u zotua se do të ketë shkarkime pasi, sipas tij, njerëz të tillë nuk kanë vend në pozitat vendimmarrëse.

Qëndrimi i kandidati tjetër Shkëmb Manaj, lidhur me RTK-në, është se LDK pas datës 9 shkurt do ja kthej publikut RTK-në.

“Kjo qeverisje në raport me RTK e ka kthyer Radiotelevizionin Publik e ka kthyer në televizion shtetëror, që është shqetësuese për pavarësinë e mediave. LDK pas 9 shkurtit do të ja kthej publikut RTK-në”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë television transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime”  në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

Zotimet e LDK-së: Kthim të RTK-së te publiku, reformë në administratë dhe meritokraci në institucione