Zemaj: Sonte vijnë 24 mijë dozat e para të vaksinës për të cilat kemi punuar shumë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas njoftimit për ardhjen sonte të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

Zemaj ka shkruar se bëhet fjalë për 24 mijë dozat e para të vaksinës nga programi COVAX.

Ai ka thënë se përpjekjet si shtet asnjëherë nuk janë ndalur për të arritur deri te ky qëllim i cili tashmë po realizohet.

“Që nga muaji korrik 2020, si Ministër i Shëndetësisë dhe Qeveri e Kosovës, bashkë edhe me Komisionin negociues të Kosovës për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19 dhe Grupi punues për definimin e nevojave për vaksinën kundër Covid-19, kemi filluar aktivitetet për të siguruar vaksinën sa më shpejtë në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere dhe drejtpërdrejt me kompani prodhuese të vaksinave kundër Covid-19″, ka shkruar Zemaj në Facebook, duke theksuar se tash po arrihet qëllimi për të cilin kanë punuar me përkushtim me muaj të tërë, në shumë adresa, me shumë përkrahës bashkë me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

Sipas Zemajt, për Republikën e Kosovës, ky rrugëtim ka qenë shumë i vështirë pasi që nuk jemi as pjesë e OBSH-së as e Bashkimit Evropian.

“Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna janë drejtimi tjetër në të cilin jemi angazhuar si shtet, për sigurimin e vaksinave, por gjithashtu kontaktet të vazhdueshme kemi pasur edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin por edhe me shtetet e Bashkimit Evropian, më ngushtë me Austrinë, nga të cilat pritet përgjigje e shpejtë”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se sonte do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19.