Zemaj, Ramadani e Sejdiu në Pejë, premtohet mbështetje për shkak të pandemisë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani dhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu vizituan sot Pejën, ku me autoritetet e pushtetit lokal dhe ato shëndetësore biseduan për pandeminë COVID-19 dhe mënyrën e menaxhimit të situtës në këtë komunë.

MSh-ja njofton se ata u pritën së pari nga Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, i cili i ka njoftuar ate me punën e institucioneve komunale në menaxhimin e situatës epidemiologjike.

Zemaj thuhet se ka përgëzuar autoritetet komunale për angazhimin e treguar në menaxhimin e pademisë dhe ka shprehur përkushtimin që MSh të mbështes komunat me fuqizim të kapaciteteve për të siguruar që situata të manaxhohet në mënyrë korrekte deri në fund.

“U dakorduam që shtabi emergjent të vazhdojë të jetë në gatishmëri, të decentralizohen shërbimet shëndetësore (e të mos jenë vetëm në nivel qendror) dhe që Inspektorati të jetë aktiv maksimalisht që të ndikohet në respektimin e masave anti-Covid-19”, citohet të ketë thënë ministri.

“Peja do të jetë në prioritetin e angazhimit tim, dhe do të mbështetën disa projekte të caktuara, e do të ofrohen ndihma logjistike për shëndetësinë në këtë komunë”, tha ai.

Gjatë qëndrimit në Pejë, ministri me bashkëpunëtorë, ka vizituar edhe Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku ka falënderuar personalin e spitalit për punën e bërë.

Ai është njoftuar nga drejtori i këtij spitali Skënder Dreshaj me punën që bëhet aty si dhe sfidat për menaxhimin e pandemisë.

“Ministri Zemaj ka thënë se MSh do të fuqizojë kapacitetet e spitalit me qëllim të përballimit të rasteve me Covid-19, por edhe të fuqizimit të shërbimeve shëndetësore në këtë spital”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës aty, Spitalit të Përgjithshëm i është ndarë një autoambulancë nga pjesa e asistencës së BE-së për përgjigje ndaj COVID-19 në Kosovë.

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë janë konfirmuar 3,178 persona të infektuar me coronavirus, janë shëruar 1,824 dhe kanë vdekur 58 pacientë.