Zemaj: Qeveria Kurti, krejt për pushtet - asgjë për shëndet

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia për rritjen e madhe të numrit të të prekurve me COVID-19.

“E keqja nuk po ka fund! Sot i kemi 1,370 raste të reja me Covid-19 dhe 1 të vdekur. Ndërkaq, ministrin e Shëndetësisë dhe kryeministrin i ka tërbuar tërësisht lufta për pushtet. Në fazën më kritike të epidemisë në Kosovë, me rritjen enorme të rasteve pozitive me Covid-19, ku vala e infeksionit me variantin Delta ka marrë përpjetën, Qeveria mendon veç për vota e pushtet”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

“Lëvizjet e qytetarëve janë pa mbikëqyrje si dhe pa asnjë kontroll mbi masat kufizuese. Numri i rasteve spitalore dhe i vdekjeve po rritet frikshëm, ndërsa Kurti dhe Vitia e kanë luksin e planit për vota dhe fushatë zgjedhore”, ka shtuar Zemaj.

Ai e ka quajtur të papranueshme që në kohën kur vendi shënon 1,370 raste të reja vetëm brenda një dite, qendra kryesore e vaksinimit në Kosovë “1 Tetori” dhe shumë qendra tjera janë të mbyllura për shkak të ditëve të vikendi.

“Fakt i frikshëm. Në vend se të shtohen mundësitë e vaksinimit, ato mbyllen, kurse mundësitë ngushtohen. N’dorë t’Zotit, me këta mashtrues e demagog, krejt për pushtet e asgjë për shëndet!”, përfundon reagimi i Zemajt.