Zemaj: Qeveria Kurti ka dështuar ta menaxhojë pandeminë

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka filluar sesionin vjeshtor duke diskutuar për situatën pandemike në vend.

Anëtari i LDK-së si dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në këtë komision tha që Qeveria ka treguar neglizhencë në menaxhimin e pandemisë duke dështuar me menaxhimin e saj.

Zemaj, i cili udhëhoqi këtë komision në mungesë të kryesueses, përmendi edhe menaxhimin e vaksinave dhe gjuajtjen e një numri të tyre.

“Në kohën kur numri i infeksioneve ka filluar të rritet, masat që janë ndërmarrë nuk kanë qenë për parandalim, kanë liruar masat e kanë ndaluar mbikëqyrjen. Kanë larguar punëtorët shëndetësorë qe kanë ndihmuar në parandalimin e pandemisë në vend. Kanë marrë masa ad- hoc pa ndonjë analizë. Mos menaxhimi i mirë i rrjetit të vaksinave e gjuajtja e një numri të vaksinave kanë treguar qartë menaxhimin e kësaj pandemie”, tha ai.

Ai shtoi se duhet ftuar ministri Arben Vitia për të raportuar në Komision.

“Duhet ta ftojmë ministrin për raportim sa më shpejt që është e mundur. Ministri e ka obligim dhe borxh moral që të vijë në këtë komision të tregojë pse ka ardhur deri te kjo situatë ku imazhi është dëmtuar duke e vendosur Kosovën në listë të zezë”, është shprehur Zemaj.

Zemaj po ashtu ka thënë se vitin e kaluar vdekjet i janë “mveshur” pushtetit (duke aluduar në qeverisjen e MSh nga Zemaj), ndërsa është shprehur se e ka të paqartë se përgjegjësi të kujt janë vdekjet e ditëve të fundit.

Për një muaj në Kosovë, përkatësisht nga data 13 gusht e deri më 13 shtator në Kosovë kanë vdekur 533 të infektuar me COVID-19.

Po ashtu numri i rasteve të reja të konfirmuara është rritur gjatë muajit gusht.

Aktualisht në Kosovë janë 17 mijë raste aktive me SARS-CoV-2.