Zemaj: Po bëjmë përpjekje që të avancojmë sistemin shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se Spitalet e Përgjithshme dhe klinikat për furnizime me barna dhe paisje medicionale, janë prioritet për të.

“Klinika Emergjente, Neurologjisë, Mjekësia Nukleare dhe të gjitha klinikat tjera, janë duke ofruar shërbime të nevojshme për të gjithë qytetarët edhe në këtë kohë pandemie. Po bëjmë çdo përpjekje që të kemi avancime në sistemin shëndetësor dhe të bëjmë furnizime për pacientët tanë”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Sipas tij, në Klinikën e Radiologjisë po investohet duke përmendur Rentgenin statik, që sipas tij, është investimi më i ri.

“Të nderuar qytetarë, Duke respektuar masat anti covid, duke mbajtur maskën, distancën dhe higjienën personale, jo vetëm që do t’ia lehtësojmë jetën vetes dhe familjes, por edhe punën e personelit shëndetësor dhe shtetin. Bashkë ia dalim!”, ka shkruar Zemaj më tej.

Në vendin tonë, që nga fillimi i pandemisë janë shënuar 42,377 persona të infektuar nga COVID-19, 27,821 të shëruar dhe 1087 viktima.