Deputeti Armend Zemaj në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit; Foto: Screenshot nga transmetimi i Kuvendit

Zemaj: Plotësim - ndryshimi i 15 ligjeve në sektorin e shëndetësisë është improvizim nga Qeveria

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se sjellja e 15 ligjeve për plotësim – ndryshim në sektorin e shëndetësisë është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor, i cili do të avanconte shërbimet shëndetësore apo edhe ruajtjen e shëndetit publik.

“Nuk po dua sot ta ngarkoj ministren e re, por si pjesë e kabinetit të Qeverisë duhet t’i kthehet seriozitetit të punës dhe jo improvizimeve, sidomos në fushën e shëndetësisë”, ka thënë ish ministri i shëndetësisë Armend Zemaj.

Ai gjithashtu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se nuk e ka pasur vëmendjen siç ishte theksuar në programin qeverisës për sektorin e shëndetësisë.

“Mendoj se kjo Qeveri nuk e ka pasur vëmendjen siç e ka theksuar edhe në programin qeverisës, sepse me programin qeverisës, kryeministri ka dalë para deputetëve këtu dhe ka thënë se do të kemi rishikim funksional të kornizës ligjore në sektorin e shëndetësisë dhe ky është mashtrim”, ka deklaruar Zemaj.

Deputeti i LDK-së ka njoftuar se si grup parlamentar i përkrah projektligjet sepse sipas tij “ka për qëllim që të mos e lejojmë kolizion me ligjeve, por qeveria duhet ta thotë të vërtetën dhe kjo e vërtetë është që 15 ligje po ndryshohen për vetëm një nen të caktuar pa pasur impakt në shëndetin publik”.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku në prezantimin e projektligjeve ka propozuar që të lexojë të gjitha projektligjet përnjëherë për të mos humbur kohë për secilën veç e veç.

“Sido që të pajtoheni ju na duhet të deklarohemi dhe të humbim kohë 15 herë t’i përsërisim të njëjtat ligje vetëm me ndërrimin e emrit të ligjit. Si të vendosë seanca na mbetet ose të deklarohemi veç e veç ose vetëm t’i lexoj edhe 14 projektligje tjera dhe i njëjti arsyetim vlen për të gjitha”, ka thënë Kollqaku.

Në këtë seancë plenare u miratuan në parim 15 projektligje nga sektori i shëndetësisë të cilat u mbështetën nga të gjitha partitë politike që ishin prezentë në Kuvend.

15 projektligjet janë këto:

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shëndetin riprodhues, u miratua në parim me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, u miratua në parim me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shërbimin mjekësor emergjent, u miratua në parim me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontrollin e duhanit, u miratua në parim me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, u miratua në parim me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për sigurimin shëndetësor, u miratua në parim me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shëndetësi, u miratua në parim me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndërprerjen e shtatzënësisë, u miratua në parim me 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për gjak dhe përbërës të gjakut, u miratua në parim me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, u miratua në parim me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për produkte dhe pajisje medicinale, u miratua në parim me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shëndetësi publike, u miratua në parim me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin shëndetësor, u miratua në parim me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin sanitar të Kosovës, u miratua në parim me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

–              Shqyrtimi i parë i Projektligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor, u miratua në parim me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca njoftoi se komisioni funksional dhe komisionet e tjera të përhershme ngarkohen me shqyrtimin e këtyre projektligjeve sipas afateve të Rregullores së Kuvendit dhe të paraqesin raportin së bashku me rekomandime.