Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Zemaj për shtrëngimin e masave: Varet prej situatës epidemiologjike

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media pas takimit të tij me institucione përkatëse për menaxhimin e pandemisë, ka thënë se shtrëngimi i masave do të bëhet varësisht prej situatës epidemiologjike në vend.

Zemaj tha se është duke u monitoruar situata në baza ditore.

“Angazhimi do të jetë më permanent dhe i koordinuar. Kemi edhe plane të tjera konkrete. Do të kemi harmonizim të aktiviteteve, rritje të kontrolleve, sidomos fokusin e kemi në sektorin e gastronomisë. Por edhe në institucione qendrore dhe lokale”, ka thënë Zemaj para gazetarëve.

Ai tha se është takuar me inspektoratin sanitar, Asociacionin e Komunave të Kosovës, Policinë për të marrë informata të sakta.

Ministri Zemaj tha se situata nuk është duke shkuar në favor por sipas tij, ka tavan të njejtë të infeksionit.

“Kërkesa jonë do të jetë për përkrahje nga inspektorët dhe policët. Po presin edhe kontingjentin e policëve të rinj të rekrutuar, që është rreth 450 numri. Do të jenë të angazhuar edhe në zbatueshmërinë e masave”, ka thënë Zemaj.

Ai po ashtu tha se masat shtrënguese do të aplikohen varësisht prej rasteve nëpër komuna.

“Varësisht prej rritjes së infeksionit. Prishtina është më e atakuar si komunë. Domosdoshmërisht duhet të marrim masat nëse eventualisht nuk ka përmirësime, por gjithçka varet prej situatës”, tha Zemaj.

Sot janë shënuar edhe 197 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, ndërsa numri total i rasteve pozitive është 18, 345. Po ashtu janë shëruar edhe 48 pacientë, duke e rritur numrin e përgjithshëm të të shëruave deri më tash në 15,198 raste, ndërsa numri i rasteve aktive është 2,478.